Ditën e sotme Policia e Tiranës ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi me ashensorin e QSUT, ku u shkëput dhe për pasojë u plagosën një paciente dhe një infermier që e shoqëronte.
Në gjendje të lirë është proceduar tekniku i ashensorit Ermal Braja dhe administratori i firmës së ashensorëve Ardian Sulollari,
Mësohet se e moshuara po shoqërohej për të bërë skaner në orët e vona të mbrëmjes se djeshme në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme të QSUT, kur papritur ashensori është shkëputur dhe ka rënë në katin -1. Dy të dëmtuarit si edhe një infermiere e QSUT-së mbetën të bllokuar në gropën e ashensorit për disa minuta deri sa erdhën forcat zjarrfikëse duke mundësuar nxjerrjen e tyre.
Njoftimi:
Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
– E. B., 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë teknik ashensori;
– A. S., 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i firmës së ashensorëve.
Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi pasi më datë 15.05.2022, rreth orës 23:30, në spitalin “Nënë Tereza”, në katin -1, barrelisti, shtetasi K. D., duke transportuar me barrelë shtetasen V. C., paciente në spital, për shkak të një defekti janë bllokuar brenda në ashensor dhe si pasojë janë dëmtuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.