Ditën e sotme ka ndodhur një ngjarje e rëndë në Koplik, ku 3 persona të armatosur deri në “dhëmbë” dhe të maskuar kanë grabitur një bankë të nivelit të dytë. Hajdutët nën kërcënimin e armëve pasi morën paratë janë larguar në dalje të qytetit me një makinë tip “Golf” i zi. Policia me njoftim zyrtar bën me dije se makinës i është vendosur flaka në dalje të qytetit.
Menjëherë pas largimit të grabitësve, punonjësit e bankës kanë njoftuar sigurinë si edhe policinë, të cilët ndodhen në vendin e ngjarjes duke bërë këqyrjet e nevojshme me qëllim gjetjen e provave të mundshme të lëna nga grabitësit.
Njoftimi i Plotë:
Malësi e Madhe/Informacion paraprak
Rreth orës 14:10, jemi njoftuar se disa persona të paidentifikuar kanë vjedhur, nën kërcënimin e armës, një shumë parash në filialin e një banke të nivelit të dytë, në Koplik, Malësi e Madhe, dhe më pas janë larguar me një mjet tip “Volkswagen”, të cilin e kanë djegur në dalje të qytetit. Personat, ende të paidentifikuar, pasi kanë djegur automjetin e tyre, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një automjet tjetër tip “Benz” të një qytetari të rastit dhe janë larguar.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe grupe të FNSH Shkodër.
Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave të saj.