Ditën e sotme, GJKKO me kërkesë të SPAK vendosi nën sekuestro pronat e deputetit demokrat, Kasëm Mahmutaj. Ndër akuzat e drejtuara ndaj tij, ishte edhe ajo për sigurimin e pasurive të ndryshme nëpërmjet përfshirjes në aktivitete kriminale.
Kujtojmë që vëllai i tij, Gazment Mahmutaj ka qenë i dënuar më herët në Itali për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni.
Hetimi pasuror i nisur për Gazmend Mahmutajn, u shtri edhe te dy vëllezërit e tij, Behar e Kasëm Mahmutaj duke zbuluar edhe 25 pasuri të tjera të cilat nuk justifikoheshin në mënyrë të ligjshme.
Në dosjen e publikuar nga GJKKO, në listën e pasurive të sekuestruara rezultojnë apartamente, makina, pallate, sipërfaqe toke të cilat ishin edhe në emër të personave të tjerë të afërm.
Ndërkohë më herët, vetë deputeti demokrat, deklaroi se nuk pajtohej me vendimin e marrë dhe se e kishte ankimuar, duke shtuar se nuk ishte përgjegjës për veprimtarinë e vëllait të tij dhe se pasuritë i kishte ndërtuar në mënyrë të ligjshme.
Sipas hetimeve të kryera në Irali, mediat italiane bëjnë me dije se Gazment Mahmutaj i njohur si “Gazi” ishte arrestuar më parë për shfrytëzim prostitucuioni dhe trafikim lëndësh narkotike. Në artikull thuhet gjithashtu se Gazment Mahmutaj kishte arritur t’u shpëtonte organeve të drejtësisë duke u kamufluar si deputet shqiptar.
“Hetimet kanë nxjerrë në dritë një klan të vërtetë ilegalësh shqiptarë, thuajse të gjithë nga i njëjti qytet i Beratit, të cilët duke u financuar me trafikimin e të rinjve shqiptarë të sjellë në Itali dhe prostituta, kishin ngritur një trafik kolosal heroine dhe kokaine. E njëjta organizatë u kujdes për të riinvestuar të ardhurat e biznesit në shtëpi në pasuri të paluajtshme dhe aktivitete tregtare, duke shfrytëzuar edhe miqësitë me personalitete të lidhura me qarqet politike shqiptare. Në krye të organizatës ishte Gazmend Mahmutaj, i njohur ndryshe si ‘Gazi’, 31 vjeç.
Ai arrestua në nëntor të vitit 1998, ndërsa ishte në tranzit me një emër të rremë në aeroportin e Malpensës. ‘Gazi’, në shoqërinë e një delegacioni shqiptar ishte nisur për në Strasburg, i ftuar si konsulent në një konferencë për krimin e organizuar. Ushtria, e cila e identifikoi atë në bazë të gjurmëve të gishtave. Kishte identitetin Raqi Gjoni dhe ishte marrë në mbrojtje të deputetëve shqiptarë”- shkruhet në artikull.