Një autobus i linjës së unazës në Tiranë ka rënë në Lanë. Nga informacionet e deritanishme bëhet me dije se autobuzi ka qenë i mbushur me njerëz.
Sipas policisë aksidenti ka ndodhur në Unazë pranë kinema “Agimit”, ku një prej autobusëve të kompanisë “Go Green” ka goditur një makinë benz duke e marrë para, dhe ka përfunduar në Lanë.
Si pasojë e aksidenti kanë mbetur 6 persona të plagosur, dy persona brenda benzit dhe 4 pasagjerë të autobusit.
Siç shihet edhe në video, autobusi i Unazës ka kaluar në anën tjetër të Lanës duke u shndërruar në një urë ndërsa nën të ndodhet një makinë benz e kthyer përmbys.
Mesa duket shpejtësia e lartë me të cilën shpesh ecin shoferët e Unazës për të kapur orarin, për shkak se vonohen shumë në stacione, dyshohet të jetë edhe shkaku i aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Më datë 29.04.2022, rreth orës 20:10, në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një automjet, dhe si pasojë drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, dhe ka rënë në Lumin Lana.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar dhe janë paraqitur në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën dy pasagjerët e automjetit që u përplas me autobusin.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Kjo nuk është hera e parë që shoferët e autobusëve të Unazës bëhen shkak për aksidente. Shpesh në media është denoncuar nga qytetarët se drejtuesit e këtyre mjeteve në disa raste kanë qenë mbi autobus edhe të dehur me alkool.