Kyetari i bashkisë së Lviv, Andriy Sadovyi ka akuzuar Rusinë për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve. “Ky është genocid, është shkatërrim i qëllimshëm”, tha ai për kanalin televiziv të Ukrainës 1+1.
Sadovyi u shpreh se të paktën 6 persona mbetën të vrarë dhe 11 të tjerë u plagosën, përfshirë një fëmijë, në sulmin e së hënës në Lviv. Sipas asaj që shkruan BBC, dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë.
Genocidi shihet gjerësisht si krimi më i rëndë kundër njerëzimit dhe sipas ligjit ndërkombëtar përkufizohet si shfarosje masive e një grupi të caktuar njerëzish.
Ndërsa presidenti i SHBA Joe Biden ka akuzuar forcat ruse për kryerjen e akteve të genocidit në Ukrainë, shumë vende nuk kanë bërë të njëjtën gjë dhe nuk ka konsensus ligjor nëse Rusia është fajtore për krimin.
Në një video-mesazh drejtuar popullit i cili u publikua nga llogaritë e medias sociale në ditën e 30 të luftës që Rusia filloi ndaj Ukrainës, presidenti Zelensky tha se kanë lënë pas një muaj në luftën që Federata e Rusisë ka hapur në mënyrë të pamëshirshme ndaj Ukrainës.
“Ukraina nuk ka kërcënuar asnjëherë sigurinë e Federatës Ruse. Madje, tani po bëjmë çdo gjë për të risjellë paqen për popullin tonë në territoret tona dhe jo në territoret tuaja”, tha Zelensky.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Rusisë, Zelensky vuri në dukje se është i sigurt që në mesin e tyre ka shumë që janë të neveritur nga politika e shtetit të tyre.
Më tej Zelensky shtoi: “Jam i sigurt që dikush është mërzitur nga ato që shikon në kanalet televizive. Pagat e propaganduesve jepen nga taksat tuaja. Qytetarët rusë varfërohen edhe më shumë. A nuk është marrëzi që qeveria juaj të marrë taksa çdo ditë nga ju për t’iu varfëruar, për t’iu izoluar nga bota, për t’iu kontrolluar dhe për t’iu dërguar në luftë për të vdekur?”.