Kievi akoma nuk është një vend i sigurt! Këtë e konfirmon edhe kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko i është drejtuar me një mesazh ukrainasve që janë larguar nga qyteti javët e fundit.
Ai bën thirrje që të mos kthehen pasi nuk është koha e duhur për të ndërmarre një vendim të tillë, ndërsa forsat ruse nuk i ndalin sulmet.
Ndërkohë disa banorë janë kthyer në banesat e tyre ditët e fundit, por kryetari i bashkisë së Kievit tha se ata janë të rrezikuar pasi në lagjen Darnytskyi ka pasur sulme me mortaja gjatë natës.
Klitschko, ish-kampioni botëror i boksit në peshat e rënda, tha se banorët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj sulmeve të mëtejshme dhe gjithashtu rrezikut të minave tokësore në pjesët veriore të qytetit.
Më herët Vitali Klitschko u ka kërkuar politikanëve europianë që të ndërpresin të gjitha lidhjet tregtare me Moskën, duke thënë se pagesat ndaj Rusisë janë të mbuluara me “gjak” dhe ndihmojnë për të financuar ushtrinë e saj.
“Çdo euro, çdo cent që merrni ose dërgoni në Rusi ka gjak; janë para të përgjakshme dhe gjaku i këtyre parave është gjaku i Ukrainës. Gjaku i popullit ukrainas.”
Klitschko ka folur edhe për genocid ndaj ukrainasve, pas një vizite që pati në qytetet fqinje të Kievit.
Ai tha se kishte parë civilë të vrarë, përfshirë një grua të moshuar dhe një makinë me një flamur të bardhë dhe fjalën “fëmijë” të shkruar nga jashtë, të cilët ishin qëlluar për vdekje dhe brenda kishte gjak.