Pasditen e sotme janë zbardhur detaje të tjera nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Tiranë ku një student u mor peng. 20 vjeçari u mor peng në Rrugën e Kavajës, teksa ishte duke pritur një shok në krah të rrugës, me bllokazhin e makinës të ndezur. Një moment, në makinë është futur një i panjohur dhe duke i drejtuar armën i ka kërkuar të lëvizë makinën.
Ndër të tjera, i riu ka dëshmuar në polici:
Kisha ndaluar me makinën time tip BMW X3 në rrugën e Kavajës, përballë (….. … ….. Bank). Dyert e makinës ishin pa siguresë dhe në vendin e pasëm të pasagjerit futet një person dhe duke bëritur më thotë ec ec ec. Më vuri pistoletën në ije dhe pastaj i dhash makinës, eca. U nisëm në në drejtim të Zogut të Zi dhe pastaj në Kamzë. Gjatë kohës që ishim në makinë më kërkoi që të hiqja kodet nga celulari im tip Samsung dhe më mori portofolin.
Më pas, i riu tregon se pengmarrësi e pyeti nëse ishte duke agjëruar, dhe kur ka marrë përgjigjen “po”, i ka thënë tani thuaj “lutjen e fundit se do të të vras”.
Dëshmia vijon:
Më tha që ishte i dënuar nga gjykata për krime të rënda dhe nëse kapej rrezikonte 40 vite burg pastaj nëse shkoja në polici ai do të vriste policin dhe mua. Pastaj më pyeti nëse isha duke agjëruar. Kur i thash po, me tha thuaj lutjen e fundit se tani do të të vras. Nuk më qëlloi. Gjatë gjithë rrugës i thosha që të merrte makinën dhe çfarë donte dhe të më linte të ikja, por nuk pranoi. Kur shkuam në Kamzë me futi në disa rrugica aty dhe më tha të ndaloj. Më tha të hapja xhamin e makinës dhe një moment doli nga makina duke ardhur nga pas në drejtim të vendit të shoferit. Aty i dhash gaz makinës dhe ika me shpejtësi.
Pasi përjetoi këtë situatë të frikshme, burime bëjnë me dije se i riu dhe të afërmit e tij i janë drejtuar Komisariatit nr.3 në Tiranë për të bërë denoncimin.
Pas marrjes së dëshmisë së tij, policia ka filluar të verifikojë kamerat e sigurisë për të gjetur ndonjë detaj që mund të çonte në zbulimin e pengmarrësit, por edhe pse kanë kaluar pesë ditë, deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Ngjarja
Burime nga Policia bëjnë me dije për abcnews.al se ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në rrugën e Kavajës, ku një i panjohur i është futur të riut në makinë dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar të vijojë rrugën duke i thënë se do ta vriste. Rreth një orë më pas, i riu ka mundur të shpëtojë nga pengmarrësi, por edhe pse kanë kaluar disa ditë, policia nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë të kriminelit.
Pengmarrja
Gjithçka ka ndodhur në mes të ditës në njërën prej rrugëve më të rrahura të kryeqyteit siç është Rruga e Kavajës. Vetëm 300 metra më tej, në vijë ajrore ndodhet Komisariati nr.2 i Policisë së Tiranës.
Burime të abcnews.al bëjnë me dije se studenti 20-vjeçar ishte duke pritur një mikun e tij me makinë në krah të Rrugës së Kavajës, kur papritur në vendin e pasëm të pasagjerit i është futur me shpejtësi një person i panjohur. Duke mos i dhënë kohë të reagojë, personi i panjohur i ka vënë atij armën nën brinjë duke i kërkuar të lëvizte nga ai vend. I trembur dhe nën kërcënimin e armës, 20-vjeçari ka lëvizur makinën duke iu bindur pengmarrësit.
Me tytën e pistoletës përballë, i riu në vendin e shoferit dhe pengmarrësi në vendin e pasëm të pasagjerit kanë bërë disa kilometra me makinë në rrugët plotë trafik dhe policë në kryeqytet, por askush nuk ka mundur të kuptojë asgjë. Mësohet se gjatë gjithë kohës, 20-vjeçari është kërcënuar nga pengmarrësi se do ta vriste atë si edhe policin e parë që u dilte para nëse ai bënte ndonjë “çmenduri”.
Siç mëson abcnews.al, makina e marrë peng rezulton të jetë futur nga Rruga e Kavajës për në Unazën e Tiranës, Rruga Muhamet Gjollesha në drejtim të Zogut të Zi. Më pas ata kanë kaluar në drejtim të Laprakës për të shkuar në zonën e Kamzës.
Shpëtimi
Gjatë kohës që ndodhej në makinë, pengmarrësi i ka kërkuar të riut që të hiqte të gjitha kodet nga celulari i tij si edhe t’i dorëzonte portofolin, orën dhe të gjitha sendet e tjera me vlerë. Pasi i ka marrë këto, ai e ka drejtuar të riun për në Kamzë ku pasi është futur në disa rrugica aty pranë, i ka thënë të hapë xhamin me qëllim që ta nxirrte direkt nga makina.
Për një moment, pengmarrësi ka dalë nga makinë për të shkuar nga vendi i pasëm i pasagjerit për në vendin e shoferit, por pikërisht aty i riu i ka dhënë gaz makinës duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Denoncimi
Pasi përjetoi këtë situatë të frikshme, burime bëjnë me dije se i riu dhe të afërmit e tij i janë drejtuar Komisariatit nr.3 në Tiranë për të bërë denoncimin. Pas marrjes së dëshmisë së tij, policia ka filluar të verifikojë kamerat e sigurisë për të gjetur ndonjë detaj që mund të çonte në zbulimin e pengmarrësit, por edhe pse kanë kaluar pesë ditë, deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Ky është një nga ato raste të konfirmon se niveli i kriminalitetit është tepër i lartë në Shqipëri, ku askush nuk mund të ecë lirshëm në rrugë pasi në çdo moment dikush mund të vijë dhe të të marrë peng apo të të grabisë në mes të qytetit pa ia bërë syri “tërr” nga policia.