Nuk ka të ndalur, rritet sërish çmimi i karburanteve në vend. Duke filluar nga sot, karburantet do të shiten më shtrenjtë në treg.
Më konkretisht, një litër naftë me pakicë do të shitet me 235 lekë, kurse një litër benzinë me 211 lekë. Ndërkohë, nuk ndryshon asgjë për gazin, i cili shitet me 115 lekë/ litri.
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 15 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi vendosi:
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 15.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
223 Lekë/litri për gazoilin;
199 Lekë/litri për benzinën;
103 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 15.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
235 Lekë/litri për gazoilin;
211 Lekë/litri për benzinën;
115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 15.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.