Ndërkohë që edhe pak kohë i kanë mbetur Metës në mandatin e tij të parë si presidenti i Shqipërisë, mesa duket Partia Socialiste e ka me “urgjencë” zgjedhjen e kandidaturës së re.
Ditën e sotme kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka firmosur kërkesën drejtuar Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ku i kërkohet thirrja e Konferencës së Kryetarëve për fillimin e procedurës së zgjedhjes të Presidentit të Republikës.
Data e propozuar nga socialistët për mbledhjen e Konfrerencës së Kryetarëve është 29 Prilli, ndërkohë që zgjedhja e presidentit duhet të jetë kryer përpara datës 24 Maj.
Kujtojmë se për zgjedhjen e presidentit mund të votohet në disa raunde, pasi në 3 votimet e para duhet të ketë një dakordësi të gjerë për emrin, duke nënkuptuar votimin me shumicë të cilësuar.
Prej disa ditësh socialistët kanë ngritur një grup pune, që përbëhet nga Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe Damina Gjiknuri, për të dëgjuar propozimet për kandidatët e mundshëm për president.
Vetë kryeministri Edi Rama ka thënë se kushti ‘i vetëm’ që do të ketë presidenti i ardhshëm që do të zgjidhet, është që ai të mos jetë i ngjashëm me Ilir Metën.
Kujtojmë që presidenti Ilir Meta ka mandat deri më 24 Korrik të vitit 2022.