Ditën e sotme Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është “zgjuar” sërish dhe ka nisur hetimin pasuror ndaj Eduart Dautit, i cili është pronar i kompanisë ‘Alba Exotic Fruit’, në konteinerët e së cilës u sekuestruan 6 herë radhasi kokainë.
Sipas raportimeve deri tani janë identifikuar disa pasuri të Dautit dhe dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal. Bëhet fjalë për një mjet tip “Mercedez Benz”, një motor, disa sipërfaqe toke, një apartament dhe dy garazhe, të gjitha dyshohet se janë vënë me para të paligjshme.
Por gjithashtu dyshohet se administratori i ‘Alba Exotic Fruit’, Eduart Dauti thuhet se disponon shuma të mëdha parash në disa banka të nivelit të dytë në emër të të afërmve dhe persona të lidhur me të. Ndërkohë që hetimi vazhdon, vetë Dauti ndodhet në qeli, pasi u arrestua për trafik drogë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Kujtojmë se herën e fundit që në konteinerët e kompanisë u kap kokainë, ishte shtatori i vitit që lamë pas. 10 kilogramë e 185 gramë kokainë u sekuestruan në një nga konteinerët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, të cilës i janë kapur edhe pesë herë të tjera ngarkesa me drogë. Më 7 shtator 2021, gjithashtu u kapën 7.7 kg kokainë në pjesën fundore te kapakët e motorrëve frigoriferike tek konteinerët e “Alba Exotic Fruit”. Kokaina u gjet e ndarë në pako dhe të ngjitura në një nga kapakët e kontejnerit të kompanisë në fjalë më 29 korrik të këtij viti. Më 23 korrik u sekuestruan 6.5 kilogramë kokainë të fshehura në të njëtën mënyrë. Më 13 korrik u ndalua një kamion me banane në portin e Durrësit brenda të cilit u gjetën 12 kg kokainë, e ardhur nga Ekuadori.
Deri më tani në prangat e Policisë ka përfunduar shoferi i kamionit që kishte shkuar për të marrë dërgesën; Barjon Gumeni, një prej pronarëve të kompanisë “Alba Exotic fruit”, ndërsa në kërkim është shpallur pronari tjetër, Eduart Dauti. Ky i fundit është shprehur për mediat se ndodhej në Francë, por shtoi se do të kthehej në Shqipëri për të sqaruar gjithçka, por nuk dihet vijimësia e çështjes. Në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë e cila u zëvendësua me oriz dhe iu vendos GPS nga autoritetet për ta ndjekur. Në Durrës u prangosën pritësit Altin Myslihaka dhe Ardian Begaj si dhe u shpall në kërkim Gentian Malindi.