Menjëherë pas vendimit të DASH për shpalljen “non grata” të Aqif Rakipit dhe Ylli Ndroqit ka pasur reagime të shumta, mes tyre edhe Lulzim Basha i cili thotë se Ramës i iku një tjetër partner.
Basha: Ka blerë vota për hesap të Ramës dhe janë njerëz që permes krimeve kanë tjetërsuar vullnetin e qytetarëve.
Aqip Rakipi siguroi dhe vota në masakrën e 25 prillit, duhet një reforme e thellë e sistemit të drejtësisë. Rama ka humbur sot një partner tjetër, i cili si shumë të tjerë i shërben atij. Interesi i Ramës është të ngopë orekset e grupeve kriminale. E përshëndes vendimin e SHBA-së, sepse duhet një parlament që buron nga vota e lirë e shqiptarëve.
Kujtojmë se ditën e sotme Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) ka sanksionuar ish-deputetin e PDIU, Aqif Rakipi dhe pronarin e “Ora TV” Ylli Ndroqin.
Sipas OFAC këta individë akuzohen për korrupsion, shantazhe, përvetësim pronash, rryshfet e pjesëmarrje në krimin e organizuar.
Reagimi i Ambasadës:
Uashington – Sot, Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) përcaktoi shtatë individë dhe një ent në katër vende të Ballkanit Perëndimor, bazuar në Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14033. Ky është vendimi i dytë që OFAC ka ndërmarrë bazuar në E.O. 14033 dhe që shënjestron persona të cilët kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese. Vendimi i sotëm përforcon përkushtimin e Thesarit për të nxitur llogaridhënien për aktorë të përfshirë në sjellje destabilizuese dhe korruptive në rajonin e Ballkanit Perëndimor. E tillë sjellje korruptive minon sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike, si dhe iu mohon njerëzve në këto vende mundësi dhe stabilitet.
“Personat e përcaktuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin në institucione dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të shëndoshë në Ballkanin Perëndimor”, tha Nën-Sekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. “Lufta kundër korrupsionit në mbarë botën është përparësi kryesore e administratës Biden-Harris dhe Thesari nuk do të ngurrojë të përdorë të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbajtur përgjegjës aktorë të korruptuar dhe destabilizues”.