Ditën e sotme kreu i Shoqatës të ish të Përndjekurve Politikë, Kol Nikolli është liruar disa orë pasi u arrestua në doganën e Hanit të Hotit në përpjekje për të kaluar kufirin rregullisht.
Nikolli u arrestua për arsye se kishte marrë pjesë në protestat kundër rritjes së çmimeve, ndërsa me anë të një deklarate për mediat ai bëri me dije se ditën e protestës ka qenë në festën e ditëlindjes të vajzës të një mikut të tij.
Më tej ai shtoi se do ngrinte padi ndaj policisë sepse e kishin arrestuar pa asnjë lloj prove dhe arsyeje.
“Sot rreth orës 08:30 isha nisur drejt Podgoricës në pikën doganore të Hanit të Hotit për disa arsye të mia, kisha dëshirë të shkoja dhe në Itali pasi kisha prenotuar një biletë avioni në Podgoricë. Edhe aty më ndaloi policia kufitare dhe më thotë të zbresë dhe të vish pak tek zyra se kemi një keqkuptim të vogël. Shkoj aty tek zyra dhe më thonë je i ndaluar pasi je shpallur në kërkim kombëtar. I thashë shikojeni mirë mos më keni ngatërruar me ndonjë person tjetër, sepse nuk jam dënuar kurrë dhe as kam bërë shkelje ligji kurrë.
Më pyeti për të gjithë informacionet dhe më tha ti je vëlla, nuk kam çfarë të bëj. Arsyen i kërkova dhe më thanë që je i ndaluar për shkak të protestës së 10 marsit me arsyetimin se kam marrë pjesë në protestë të paligjshme. I thashë më datë 10 mars nuk kam qenë fare, sepse kam qenë në ditëlindjen e vajzës së një mikut tim. Nuk kam marrë pjesë në atë protestë, jo se nuk kisha dëshirë, por fizikisht nuk kam qenë.
Rëndojnë katër akuza për ty. Organizim protestash, se nuk më kujtohen të gjitha. Kanë njoftuar komisariatin e Mirditës, kanë nisur makinë dhe më morën në pikën doganore e u çova në komisariatin e Mirditës. U mora në pyetje nga një oficer i krimeve dhe më lexon akuzat e ngritura. Më tha ke 4 akuza, i thashë që nuk kam qenë fare në protesta, më gjej një fakt sepse akuzohem edhe për kundërshtim të forcave të rendit. Le të dalë ai efektiv dhe të më thotë se e kam kundërshtuar. Unë nuk kam qenë as prezent, si mund ta kundërshtoja. Edhe ato nuk kanë asnjë fakt, vetëm për arsye dashakeqëse sepse unë jam pjesë e opozitës, jam dhe kryetari i shoqatës së përndjekurve politik të Mirditës, dhe kjo gjë është bërë politike pasi nuk është hera e parë që të merren me mua” – tha Nikolli.
Nikolli thotë se do ngre një padi në Prokurori ndaj komisariatit të policisë së Mirditës.
“Nuk kam pasur dijeni se kam qenë shpallur në kërkim. Unë punoj çdo ditë, shkoj pij kafe në lokal i pashqetësuar. Nuk kam pasur asnjë lloj ndalimi, as më ka njoftuar njeri që je i shpallur në kërkim. Unë do i drejtohem Prokurorisë dhe do të padisë komisariatin e policisë së Mirditës për punët e mia që më kanë prishur. Unë do shkoja për punët e mia në Mal të Zi” – tha Nikolli.