Ditën e sotme Bordi i Administrimit të Karburanteve, i cili reflekton ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare ka vendosur sërish rritje çmimi të naftës.
Nga sot deri në 25 mars, nafta do të shitet me 233 lekë për litër, duke pësuar një rritje prej 12 lekësh krahasuar me një ditë më parë. Ndërkohë, rritje ka pësuar edhe çmimi i benzinës, ku nga 211 lekë që ishte, është bërë 218 lekë, teksa gazi nuk ndryshon, vijon të shitet me 93 lekë/litri.
Sipas Bordit të Transparencës, këto çmime reflektojnë rritjen në bursën e naftës dhe benzinë, ku nga data 16-22 Mars çmimi i naftës u rrit me 231$ për ton dhe i benzinës me 113 $ për tonë.
Këto çmime do të jenë të vlefshme për tre ditë. Të premten Bordi i Transparencës pritet të mblidhet sërish për të përcaktuar çmimet e karburanteve në vend.
Kujtojmë se çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 227 lekë/litër, dhe nënproduktit benzinë për periudhën 23 mars-25 mars 2022, të jetë 208 lekë/liter. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 23 mars -25 mars 2022, të jetë 233 lekë/litri.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 23 mars-25 mars 2022, të jetë 218 lekë/litri. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz për periudhën 23 mars-25 mars 2022, të jetë 93 lekë/litri. Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 23 Mars”, thuhet në vendim.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë, në të kundërtën do të ndëshkohet duke nisur nga gjoba nga 2 mln lekë për ato që tregojnë me pakicë deri në 10 mln lekë për shumicën, por edhe heqja license nëse shkelja është e përsëritur.
Bordi i Administrimit të Karburanteve u ngrit pikërisht për të bërë transparent lëvizjen e çmimit të naftës në bursë e ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe shmangien e abuzimeve brenda tregut tonë me karburantet.