Nuk kanë kaluar shumë kohë që nga inaugurimi i “Rrugës e Arbrit”, një nga segmentet më të rëndësishëm për banorët e Dibrës.
E ndonëse ka pak që është futur në funksion, projekti i rëndësishëm për dibranët, që shkurton distancën midis Tiranës dhe Dibrës, ka nisur të ketë probleme që kushtojnë miliona. Rehabilitimin e tombinos së rrugës në aksin rrugor Qafa e Buallit-Fillimi i rrugës së Arbrit do të kushtojë 150 milione lekë me TVSH.
Theksojmë se Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar nga Evis Berberi ka hapur një tender, për të ndihmuar me paratë e taksapaguesve firmën koncesionare ‘Gjoka’, e cila e ka fituar koncesionin 250 milionë euro për ndërtimin e kësaj rruge.
Në dokumentat e tenderit afati kohor për rehabilitimin është 2 muaj dhe në relacionin teknik thuhet se këto punime do të kryhen me kërkesë të bashkisë së Bulqizës.
Duke qenë se disa pjesë të rrugës së Arbrit janë ndërtuar, të tjera ende s’kanë filluar, nuk dihet saktësisht sa kilometra do të ndërtojë “Gjoka konstrakshën”.
Në relacionin teknik sqarohet edhe arsyeja se përse ka dalë jashtë pune tombino, për ndërtimin e së cilës do të shpenzohen plot 150 milionë lekë.
Sipas relacionit tombino ka dalë jashtë pune për shkak të uljeve gjeologjike të gjithë fushëgropës së Bulqizës një problem që duhet të ishte parashikuar në projekt, megjithatë Autoriteti Rrugor shqiptar nuk shpjegon nëse këtë pjesë duhet ta ndërtojë koncesionari i cili tashmë është paguar edhe për këtë punë. Në fakt, kompania “Gjoka Konstruksion” nuk është një emër i padëgjuar, pasi ka pasur vazhdimisht skandale me tenderat e fituara nga ajo.
Rruga e Arbërit, e cila është propaganduar kaq shumë, madje edhe përdorur si “as nën mëngë” për fushatën elektorale, tashmë i ka zhgënjyer qytetarët.