Ditën e sotme Open Data Albania po analizon projeksione apo skenarë të ndryshëm që tregojnë se kur do të arrijë Shqipëria të njëjtin nivel të të ardhurave për frymë me atë të Bashkimit Europian, përkatësisht mesataren e tyre.
Për të realizuar projeksionet pesimiste dhe optimiste potencialisht të mundshme, po konsiderojmë dinamikën me të cilën kanë ndryshuar të ardhurat për frymë në vend. Duke vlerësuar ecurinë e rritjes apo ndryshimit me bazë vjetore të të ardhurave për frymë për vendin tonë dhe të njëjtin tregues për mesataren e vendeve të BE-se.
Në periudhën kohore 2000 – 2020 Shqipëria ka shënuar rritje me bazë vjetore të ardhurave për frymë, mesatarisht 4.3 % në vit. Kjo rritje është e lartë në vende si dhe Shqipëria, vende që vijnë nga tranzicioni dhe situata ekonomike me nivele të ulëta. I njëjti tregues për mesataren e BE-së është 1.01%
Nëse ecim duke konsideruar rritjen vjetore në disa vite dhe duke projektuar ecurinë në kohë, nxjerrim edhe një rezultat se në cilin vit Shqipëria mund të arrijë në nivelin e të ardhurave për frymë të barabartë me mesataren e vendeve BE.
Por duke qenë se po punojmë me një Projeksion, do të përpiqemi të përllogarisim një skenar bazë, një optimist dhe një tjetër pesimist.
Është ndërtuar skenari bazë, duke përfshirë rritjen mesatare vjetore për vitet 2000-2020 (21 vite).
Ndërkohë për të nxjerrë skenarin optimist, janë vlerësuar vitet para-krizës 2008 (2000-2008, 9 vite). Gjithashtu është ndërtuar edhe skenari pesimist, ai i rritjes së ngadaltë ekonomike, dhe janë përfshirë vitet pasi kriza është kaluar tërësisht (2014-2020, 7 vite).
Duke ndërtuar skenarin optimist, tregohet se Shqipëria do të përafrojë nivelin e të ardhurave të saj për frymë, me nivelin mesatar të BE-së në vitin 2060. Niveli i të ardhurave për frymë të Shqipërisë dhe i mesatares së BE, në pikën e konvergjencës do të jetë 73 311 USD.
Me skenarin bazë, na rezulton se Shqipëria do të arrijë mesataren e të ardhurave për frymë BE, në vitin 2078, me nivelin e të ardhurave 61 195 $/frymë. Për skenarin bazë kemi marrë si bazë analizuese mesataren e rritjes së të ardhurave për frymë për vitet 2000 – 2020.
Të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri në vitin 2020 ishin 6.5 herë më të ulëta se Mesatarja për vendet anëtare të BE. Në këtë projeksion mbi kohën që i duhet vendit tonë të arrijë nivelin evropian nuk parashikohen efekte të cilat mund të vijnë për shkaqe që lidhen me kriza ekonomike apo faktorë të tjerë që ndikojnë ekonomitë.