Ditën e sotme Gjykata Kushtetuese publikon vendimin e arsyetuar për Presidentin e Republikës Ilir Meta që hodhi poshtë shkarkimin nga parlamenti.
Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Vitore Tusha, Kryetare, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Sonila Bejtja, Përparim Kalo, anëtarë, me sekretare Blerina Basha, në datat 01.02.2022, 03.02.2022 dhe 07.02.2022 mori në shqyrtim në seancë plenare, me dyer të hapura, çështjen nr. 6 (K) 2021 të Regjistrit Themeltar, që u përket:
KËRKUES: KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, përfaqësuar nga Taulant Balla, Klotilda Bushka, Mimoza Arbi dhe Erind Mërkuri, me autorizim.
SUBJEKT I INTERESUAR:
PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, përfaqësuar nga Bledar Dervishaj dhe Katrin Treska, me autorizim.
OBJEKTI: Deklarimi i shkarkimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
BAZA LIGJORE: Nenet 78 dhe 90, pikat 2 dhe 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 61 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).
Kuvendi ka pretenduar se në shumë nga daljet e veta publike Presidenti ka zgjedhur të përdorë retorikë dhune dhe ta favorizojë haptazi atë në sytë e publikut si mjet për zgjidhjen e problemeve në vend të mjeteve që ofron shteti i së drejtës. Kjo retorikë, e justifikuar sipas tij si e nevojshme për mbrojtjen e votës nga vjedhja, ka pasur përshkallëzim të fortë deri në fund të fushatës. Kjo shkelje provohet edhe nga reagimi i përfaqësuesve të shteteve të huaja në vend, të cilët publikisht bënë thirrje për të ndaluar gjuhën dhe thirrjet për dhunë. Në prag të datës të zgjedhjeve në Elbasan ndodhi një përplasje midis dy grupe simpatizantësh, me pasoja të rënda, dhe mënyra e veprimit të tyre përputhet plotësisht me thirrjen publike të Presidentit. Thirrjet për dhunë reflektohen në përdorimin e shprehjeve, të tilla si: “ngrehuni dhe bjeruni, vdekje tradhtarëve, t`i mprehin sfurqet” ose deklarimet se “struktura për mbrojtjen e votës është një e drejtë legjitime e opozitës, pasi shteti është i kapur nga krimi” (shih paragrafët 46, 124 dhe 126 të vendimit nr. 55/2021 të Kuvendit).
Sipas Kuvendit, edhe pse Presidenti ka përkrahur nismën e opozitës për ngritjen dhe funksionimin e “Strukturës për mbrojtjen e votës”, kjo çështje i takon për hetim organeve kompetente. Megjithatë, ai nuk është distancuar dhe nuk ka dënuar jo vetëm ngjarjen e rëndë të Elbasanit, por as modelin e kundërligjshëm që përfaqësonte kjo strukturë. Aktet dhe sjelljet e Presidentit kanë frymëzuar dhunë dhe ndasi sociale, nuk kanë kontribuar për uljen e konflikteve dhe pasqyrojnë gjuhë përçarjeje dhe urrejtjeje. Kjo nxitje dhune dhe ndasie shfaqet jo vetëm në deklaratat publike të Presidentit, por edhe në sjelljen e tij në situata konkrete (konflikti midis FRD-së dhe bashkisë së Tiranës), nuk ndikuan për qetësimin e situatave, përkundrazi i përshkallëzuan ato dhe përbëjnë shembuj negativë që nxisin vetëgjyqësinë.
Presidenti ka prapësuar se fushata e zgjedhjeve të përgjithshme u tensionua në nivele ekstreme për shkak të aktorëve politikë, duke kulmuar edhe me humbje jete (në qytetin e Elbasanit), sulme të armatosura (siç është rasti në qytetin e Kavajës), apo ngjarje e situata të tjera të rënda provokuese (ngjarjet në qytetin e Fierit). Deklaratat dhe denoncimet publike e shkresore të Presidentit kanë qenë plotësisht në proporcion të drejtë me situatën shumë të rëndë parazgjedhore, si dhe në funksion të parandalimit të përshkallëzimit dhe daljes jashtë kontrollit të saj. Në rastin e Fierit, të nxitur nga veprimet e paligjshme e provokuese të bashkisë dhe të përfaqësuesve të shumicës qeverisëse, Presidenti u kërkoi publikisht kandidatëve të një force politike (LSI) të mos binin pre e provokimeve dhe ta tejkalonin atë situatë me urtësi. Në lidhje me termin “sfurqet”, ai është përdorur në kontekstin e një konflikti konkret të ndodhur në Fier, ku Presidenti ka qenë dëshmitar okular, dhe në këtë deklaratë “sfurqet” janë përmendur në mënyrë metaforike, si mjete pune të banorëve të zonës dhe në kontekstin e vënies në rrezik të interesit publik.
Gjykata, bazuar në analizën e kritereve të shkeljes së rëndë, nuk identifikon ndonjë normë kushtetuese të cenuar, pasi në lidhje me këto fakte Kuvendi nuk ka arritur të provojë ardhjen e pasojave në drejtim të cenimit të rendit dhe sigurisë publike. Edhe në këtë rast Presidenti nuk ka ushtruar veprimtari vendimmarrëse, nuk ka marrë ose ushtruar kompetenca të institucioneve të tjera dhe nuk është provuar ndonjë qëllim i tij për ndërhyrje në rendin dhe sigurinë publike.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 90, pika 2, dhe 131, pika 1, shkronja “dh”, të Kushtetutës, si dhe neneve 63, pika 2, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash.
Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë, dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.