Kryeministri Edi Rama ka folur për situatën në Ukrainë, për të cilën thotë se pasojat në ekonomi mund të jenë edhe më të rënda, duke shkuar deri tek mungesa e energjisë apo e naftës.
Sipas kryeministrit Edi Rama, paketa që u prezantua sot me qëllim përballimin e rritjes së çmimeve është parashikuar për tre muaj, por nëse situata në Ukrainë u shpreh kryeministri agravohet, qeveria shqiptare do të kalojë në një tjetër skenar.
“As unë nuk e kam pritur që zotëria e Kremlinit do të mbërrinte në këtë pikë. Mund të ishin të arsyeshme dyshimet se do të futej për të aneksuar zonën e dy krahinave atje apo për të bërë një lidhje tokësore me Kriminë, por deri në këtë pikë nuk e kisha menduar.
Nuk është koha si në luftën e ftohtë, sot gjithçka është e lidhur, ajo që ndodh në një vend impaktohet në një vend tjetër.
Shqetësimi është i jashtëzakonshëm, nuk dimë sa do zgjasë dhe nuk dimë cili do të jetë impakti në ekonomi.
Paketën e rezistencës sociale sot e kemi planifikuar për 3 muaj, por nëse situata agravohet do të kalojmë në një skenar tjetër dhe gjerat nuk janë të lehta. Duhet të jemi të vetëdijshëm.
Mund të shkojë puna sa të bjerë oferta për energji dhe të bjerë oferta për naftën dhe të rriten çmimet më shumë të të gjitha produkteve”, tha Rama për Neës24.
Kreu i qeverisë u pyet edhe për bisedën telefonike me Presidentit e Ukrainës, Zelensky, për të cilin dha këtë koment: “Unë jam takuar edhe më parë me Zelenskyn dhe ndjesia që këtë njeri që në distancë në gjithë ekranet dhe faqet e botës i ngjan një hero filmi është një njeri që ti e njeh personalisht dhe nuk është në një rol, por është realisht në një mision ku ka vendosur që ta vërë edhe jetën e tij në dispozicion. Është ndjesi e posaçme dhe turbulluese në kuptimin sa keq dhe sa larg ka shkuar puna. Luftën e kemi parë në distancën, përmes filmave, përmes librave, e kemi parë në një dimension të caktuar dhe këtu pak në distancën tek shqiptarët e Kosovës, por asnjëherë nuk e kemi menduar dhe nuk jemi përgatitur për të pranuar që të ndodhë kështu sic po ndodh. Me një agresion të ngjashëm me atë te viteve 30, që i turret një vendi demokratik”.
Ndërsa kur u pyet nëse do të kishte mundësi të fliste me Putinin çfarë do ti thoshte, Rama u përgjigj: “Nuk e kam takuar asnjëherë, nuk kam kërkuar ta takoj dhe nuk di çfarë të them”./News24