Ditën e sotme Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka shpallur rezultatin zyrtar lidhur me kandidatët e shpallur fitues në 6 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet.
Ndër të tjera, Celibashi tha se procesi i votimit dhe i numërimit kishte qenë i qetë pa problematika të theksuara. Sa i përket votimit elektronik në Vorë e cila ishte bashkia e parë që shpalli rezultatin 2 orë pas përfundimit të votimit, Celibashi tha se ky rast kishte qenë një sukses me teknologjinë e përdorur.
Celibashi: Ka përfunduar procesi i numërimit për të gjitha bashkitë. Sikurse ka përcaktuar Kodi Zgjedhor, është shpallur zyrtarisht fituesi për Vorën, Blerim Shera, për Rrogozhinën ku fitues është Edison Memolla, për Dibrën është Rasim Spahiu.
Ndërsa për Shkodrën, Durrësin dhe Lushnjën do e shpallë KQZ. Por sipas rezultatit paraprak, fitues në Shkodër është Bardh Spahia, në Durrës fituese është Emirjana Sako, në Lushnjë, Eriselda Sefa.
Sikurse e dini në Vorë u zhvillua procesi i votimit elektronik dhe mund të thuhetm e bindje se procesi është zhvilluar me sukses të plotë. Të paktën nga komunikimet që kemi pasur, nuk rezulton të ketë pasur ndonjë lloj problematike. Edhe në këto zgjedhje u përdor sistemi i identifikimit elektronik. Përgjithsësisht nga ajo që KQZ administroi, procesi është karakterizuar nga zbatimi i Kodit Zgjedhor.