Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka shkuar në Komisionin Hetimor Parlamentar për të dëshmuar lidhur me inceneratorët duke u betuar se do të tregojë të vërtetën dhe vetëm “të vërtetën” .
Rama e nisi dëshminë e tij duke kërkuar që në fillim nga kryetarja e Komisionit Hetimor Jorida Tabaku të mos e përdorte fjalën aferë, ndërkohë që nga ana tjetër refuzoi që të jepte përgjigje direkte nëse ish-ministri Lefter Koka dhe deputeti Alqi Bllako ishin apo jo përfitues të inceneratorëve.
Marrja në pyetje është shoqëruar me përplasje të forta dhe shumë prej pyetjeve, kreu i qeverisë u është shmangur duke i konsideruar spekulime të opozitës.
Gjatë gjithë kohës, u vu re nga kryeministri se ajo që ai u përpoq të bënte ishte një lojë matematikore me llogaritë e lexuara nga Tabaku, në ‘përpjekje’ për të gjetur 430 milionë eurot e vjedhura sipas Opozitës, duke hequr vëmendjen nga diksutimi mbi inceneratorët. Sipas Ramës nga buxheti i shtetit janë paguar 55.3 mln euro për koncesionarin e Fierit dhe Elbasanit, ndërsa për Tiranën nuk është dhënë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit.
Thënë me një fjalë se i intereson “pastërtia”, dhe se me një shqipëri pa plehra do të sjellë sa më shumë investitorë, Rama bie në kundërshti me realitetin pasi në të vërtetë e kemi parë shumë mirë se si vazhdon të jetë Shqipëria nga ana e mbetjeve duke e parë haptazi se jemi një vend i papastër dhe se mosdjegia e plehrave veçse i ka shtuar papastërtitë në vendin tonë, edhe pse Rama për këtë çështje tha se është krenar për atë që ka bërë në tetë vite punë pasi kjo gjë ka bërë që në shumë zona të mos prodhohen më ‘re të zeza’, që të gjithë ne e kemi parë ‘sheshit’ se si mbetjet mbizotërojnë në vend dhe se çwshtja e impianteve nuk ka patur ndonjë përmirësim.
Ai gjithashtu tha se nuk merret me proceduat se kush i ndërton inceneratorët apo kush kompani i ndjek procedurat, por sheh vetëm punën e përfundimet,- gjë që tashmë duket qartë se sa “rezultat” kanë dhënë. Gjithashtu me të tjerat Rama tha se ka institucione që merren. Dhe kompanitë, sipas tij do të vijojnë të paguhen, pasi ende nuk ka një vendim të formës së prerë nga ana e drejtësisë në Shqipëri e se kontrata vijon.
Nga ana tjetër Rama është shprehur se me tre personat e shpallur në kërkim Mirel Mërtiri, Klodian Zoto e Stela Gugallen nuk është takuar kurrë, gjë që pritej nga dëshmia e tij, por sipas tij, edhe nëse kjo gjë do të kishte ndodhur, nuk do të ishte domethënëse për komisionin apo hetimet që janë në vijim e sipër.
“Janë në kërkim se kanë marrë këto 430 milionë eurot dhe i kanë çuar diku dhe atje presin që të shkojmë dhe ne e t’i ndajmë? Apo sepse në bazë të hetimeve dyshohet se kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me një ish-ministër? Janë dy gjëra shumë të ndryshme”, tha Rama.
“Jam shumë i lumtur që reforma në drejtësi po funksionon, që gjërat po ndahen. Dhe nëse unë them që do të bëjmë këtë, dhe dikush… Unë me Lefter Kokën kam punuar shumë mirë, që të jemi të qartë”.
Sa i përket vijimit të pagesave ndaj kompanive të inceneratorëve edhe pse dy prej administratorëve janë shpallur në kërkim, Rama tha: “Ata nuk janë duke u gjykuar, janë duke u hetuar. Për sa kohë nuk kemi asnjë vendim nga organet përkatëse, vazhdon kontrata, është shumë e thjeshtë”.
Duke hedhur akuza mbi Opozitën, si në çdo rast tjetër duke hequr vëmendjen nga çështja kryesore, kryeministri tha se në qeverinë që drejton ai nuk veprohet njësoj si në kohën e Partisë Demokratike me ministër Ridvan Boden që sipas tij kaluan 23 milionë euro koncnesion pa miratim të ministrit. I pyetur nëse duhet të ishte dorëhequr duke qenë se dy ministra i kanë përfunduar në burg, kreu i qeverisë përsëriti shprehjen ‘përgjegjësia para ligjit është individuale’, duke lënë të kuptohet edhe njëherë se sipas tij nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje, dhe si në çdo rast tjetër asnjë ‘faj’ apo turp për të qëndruar akoma në pushtet duke parë realitetin se në të cilin jetojmë.
Kujtojmë se ditën e djeshme në Komision u dëgjuan dëshmitë e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj, të sekretarit të përgjithshëm të këshillit të ministrave, Engjëll Agaçi dhe të Damian Gjiknurit.