Ditën e sotme deputeti i Partisë Socialite Alqi Bllako është thirrur për të dëshmuar për inceneratorët por ai ka refuzuar që të merret në pyetje dhe të përgjigjet para Komisionit Hetimor.
Ai erdhi në Kuvend dhe tha se ishte marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të njëjtën çështje. Bllako shtoi se gjithçka që ka dëshmuar para SPAK ishte një sekret hetimor e se nuk mund të fliste përpara deputetëve. Nuk donte të fliste për këtë çështje apo të dëshmojë për përfshirjen në aferën e inceneratorëve.
Pjesë nga biseda:
Alqi Bllako: Jam pyetur nga SPAK. Jam në kushtet e pamundshmërisë për të dëshmuar për gjithçka që di në lidhje me këto procedura. Gjithçka përbën sekret hetimor. Prandaj nuk e kam marrë as shkresën me vete dhe nuk kam preferuar të kem më shumë detaje.
Jorida Tabaku: Ne këtu kemi vendosur një standart që të mos pengojmë hetimet. Për personat që ka një akuzë apo që janë thirrur me një status të veçantë, kemi pranuar vullnetin e tyre. Nuk ju detyrojmë të përgjigjeni. Patëm dhe zotin Subashi, ju përgjigj të gjitha pyetjeve dhe të njëjtën gjë duam të bëjmë me ju. Është i njëjti sttandart, ju pyes dhe ju përgjigjeni, nuk ju detyrojmë dot, por nuk mund të vini këtu dhe të bëni një deklaratë e të largoheni, pasi deklaratën mund ta bëni ku të doni
Alqi Bllako: Zoti Subashi është jurist, di ku vendosen vijat ndarëse, unë nuk jam dhe nuk dua të ngarkoj as veten time dhe as këtë komision.
Jorida Tabaku: Deklaratë këtu nuk bëni dot
Alqi Bllako: Unë do largohem, më lejoni të firmos dhe të largohem
Jorida Tabaku: Në këtë komision nuk bëni dot deklaratë, jashtë po, mund të thërrisni mediat.