Vala e re e pandemisë ka rritur sërish mungesat në punë. Prej dy vitesh kompanitë kudo në botë dhe në Shqipëri po vuajnë pasojat e kësaj situate në produktivitetin e tyre. Si e gjithë situata pandemisë ka ndryshuar thellësisht strukturën e tregut të punësimit në vend.
Nga Deada Hyka
Në ambientet e një banke në Tiranë radha është e shtuar. Në sportel është vetëm një punonjësve, ndërsa tjetra është bosh. Shefja e degës përpiqet të menaxhojë situatën, duke u justifikuar te klientët me mungesën e punonjësve për shkak se janë të infektuar me Covid-19.
Numri i punonjësve që njoftuan se ishin të sëmurë në dy vitet e fundit arritën nivelin më të lartë në dy dekada, sipas raportimeve të ndryshme të kompanive në vend. Ky fenomen, sigurisht, i atribuohet pandemisë. Kërkesat për leje vinin nga individë qoftë të infektuar vetë, ose ata që kërkonin leje për t’u përkujdesur për të afërm të infektuar.
Ndërsa në botë, mesatarisht 1.5 milionë njerëz në muaj humbin punën për shkak të COVID, në Shqipëri tendenca duket e ngjashme, duke qenë se biznese në vend raportojnë se kanë probleme me stafin gjithnjë e më të papranishëm, duke marrë në konsideratë infektimet e herëpashershme.
“Sigurisht, karantinat dhe sëmundjet për shkak të virusit shkaktuan mungesa në rritje, siç u shndërruan edhe në sfidë për prindërit që punojnë, të cilët e gjetën veten duke luajtur rolin e mësuesit, punonjësit të kujdesit për fëmijët dhe punonjësit”, thotë Erald Pashaj, kreu i EPPC Albania and Kosovo. “Të gjithë këta stresorë ka të ngjarë të shkaktojnë tejlodhje edhe te shumë punonjës, gjë që gjithashtu çon në mungesë”, -shton ai.
Dritan Mezini, kreu i DM Consulting dhe portalit Duapune.com, thotë për “Monitor” që e gjithë situata pandemisë ka ndryshuar thellësisht strukturën e tregut të punësimit në vend.
“Ne kemi vënë re se, në përgjithësi pas 2016-s, kanë qenë kërkesa të përgjithshme për vende pune. Tani kanë ndryshuar kërkesat për vendet e punës në vend. P.sh. Duam një ekonomist, inxhinier, me një specializim të caktuar. Tregu është bërë më i specializuar dhe nevojat e tij janë të orientuara drejt profesioneve me specializim më të ngushtë dhe kjo mundet që të shihet edhe tani aktualisht.
Problemi është që bizneset e presin që ky punonjës, me këtë specializim të caktuar, të vijë nga palë të treta këtu dhe nuk investojnë në mundësinë që punonjësit aktualë t’i japin këtë specializim, sepse mendësia shqiptare sugjeron që punonjësi mund t’i largohet. Hezitojnë për të investuar te punonjësi i vet” – thotë më tej z. Mezini.
Si po ndryshon tregu i punës
Në përgjithësi pas 2016-s, kanë qenë kërkesa të përgjithshme për vende pune. Tani kanë ndryshuar kërkesat për vendet e punës në vend. P.sh. Duam një ekonomist, inxhinier, me një specializim të caktuar. Tregu është bërë më i specializuar dhe nevojat e tij janë të orientuara drejt profesioneve me specializim më të ngushtë dhe kjo mundet që të shihet edhe tani aktualisht.
Një element që ai konstaton si ndryshim të pas-pandemisë, në mënyrë masive janë kërkesat për punë në distancë. Pandemia, sipas atij, i gjeti kompanitë të papërgatitura për të përballuar një situatë të tillë, që mund ta konsiderojmë emergjente.
“Ajo që u mungoi ishte dixhitalizmi, kompanitë që arritën të përshtateshin me situatën, ishin ato që performuan mirë, ndërsa të tjerat ose shkurtuan punonjës në mënyrë masive, ose dolën nga tregu. Të gjendur në këtë situatë, punonjësit shqiptarë, nga ana tjetër, e ndien veten të ‘braktisur’ dhe kjo akumuloi në vazhdimësi të këtyre viteve një mungesë besueshmërie në të dy anët.
Këtë situatë do ta lidhja fare mirë me mungesat e këtyre viteve për shkak të infektimeve. Kompanitë që u përshtatën dhe që punuan ‘on remote’ gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kanë hasur asnjë vështirësi në lidhje me mosfunksionimin e punës për shkak të një ose disa punonjësve ashtu sikurse edhe çështjes së besueshmërisë së infektimit apo jo.
Në shqiptarët besojmë vetëm atë që na shohin sytë dhe duke qenë një virus që nuk të lejon që të afrohesh, shumë punëmarrës në mentalitetin e tyre të mosbesueshmërisë, nuk e patën të lehtë të konfirmojnë nëse punonjësit e tyre po tregojnë të vërtetën apo jo.
Por, në përfundim të kësaj, mund të them me bindje dhe nga të dhënat e rreth 133 mijë punëkërkuesve që kemi të regjistruar në sistem ndër vite, që kompanitë që kanë arritur të dixhitalizohen dhe që u kanë dhënë mundësi punonjësve që të punojnë ‘on remote’, nuk kanë pasur probleme në raste infektimesh që shpeshta, që kanë ndodhur realisht në këtë periudhë”-thotë z. Mezini.
Tregu aktual i punës në vend, sipas tij, kërkon tre profesione kryesore: ato në fushën e ICT pra të Teknologjisë së Informacionit, marketingu dixhital dhe shitje.
“Grupi i parë i profesioneve duhet të kemi parasysh që kemi një ‘armik’ të jashtëm: është tregu i huaj, i cili në mënyrë të pavarur nga ne, është vazhdimisht në gjueti të talenteve, ndaj dhe ne jemi përballur shumë vitet e fundit me ikjen e trurit.
Dhe ky fenomen është shumë më shqetësues se sa thjesht mungesat në punë për shkak të pandemisë, duke qenë se tregu nuk po prodhon mjaftueshëm profesionistë që të lejojë edhe emigrimin e tyre, pa pasur mungesa të rëndësishme në disa sektorë“ – përfundon z. Mezini.
Kërkesat
Tregu aktual i punës në vend kërkon tre profesione kryesore: ato në fushën e ICT pra të Teknologjisë së Informacionit, marketingu dixhital dhe shitje.
Specialistët-bizneseve: Jini fleksibël
Specialistë të burimeve njerëzore apo edhe ligjorë, po u bëjnë thirrje punëtorëve të sëmurë të qëndrojnë në shtëpi dhe punëdhënësit të kenë politika fleksibël të ditëve të shkëputjes gjatë pandemisë së koronavirusit.
Ata thonë se nuk duhet lejuar që presionet e biznesit dhe mbështetja në praktikat e kaluara t’ju bëjnë të merrni vendime të këqija në lidhje me politikat e pjesëmarrjes dhe largimit gjatë infektimeve. Eljana Mete, specialiste e burimeve njerëzore prej 15 vitesh, thotë se ka katër gabime që bizneset duhet të shmangin këtë situatë:
Të qenët jo fleksibël
Shumë punëdhënës janë të shqetësuar në mënyrë të kuptueshme për ndikimin e biznesit nga COVID-19. Ata mund të tundohen të miratojnë politika jo fleksibël të largimeve ose politikave të përgjithshme të frekuentimit, për t’i ‘detyruar’ njerëzit të vijnë në vendin e punës në një përpjekje për të maksimizuar produktivitetin, thotë znj. Mete, “Por është gabim të miratosh një politikë jo fleksibël. kKo do të ushtronte presion për një punëtor të sëmurë që të vinte në zyrë që në fakt është kundër vetë politikës së miratuar globalisht në rast pandemie” – thotë ajo.
Sipas rregullave të Administrimit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, punëdhënësit kanë për detyrë të mbrojnë punonjësit nga rreziqet e njohura në vendin e punës.
Zbatimi i politikave në mënyrë jokonsistente
“Punëdhënësit mund të zgjedhin të lehtësojnë disa procedura të përcaktuara në politikat e lejes mjekësore në rrethana lehtësuese, siç është pandemia aktuale”, thotë znj.Mete.
“Sidoqoftë, është kritike që punëdhënësit të zbatojnë çdo modifikim të tillë në mënyrë uniforme, për të shmangur çdo pretendim për diskriminim ose trajtim të padrejtë.”
Për shembull, nëse një punëdhënës zgjedh të justifikojë mungesat ose t’u marrë punonjësve pushimet me pagesë, si rezultat i infektimit me COVID-19, punëdhënësi duhet të jetë i sigurt se do të bëjë të njëjtën gjë për të gjithë punonjësit që mungojnë nën rrethana të ngjashme.
“Kjo kërkon që punëdhënësit të sigurojnë që të gjithë vendimmarrësit të jenë të vetëdijshëm për çdo ndryshim të përkohshëm, ose të përhershëm të politikave të lejeve mjekësore për të ruajtur qëndrueshmërinë,” tha më tej ajo.
Injorimi i Kodit të Punës
Të gjitha politikat e lejes mjekësore duhet të jenë në përputhje me ligjet e aplikueshme shtetërore me pagesë dhe këto ligje mund të kërkojnë që punëdhënësit të ofrojnë leje për mungesat e lidhura me COVID-19. Edhe pse punëdhënësve mund t’u kërkohet të japin leje, ata duhet të kenë parasysh se shumë ligje i lejojnë punonjësit të vendosin se kur ta përdorin atë.
Punëdhënësit gjithashtu duhet të shmangin detyrimin e një punonjësi të sëmurë për të kryer shërbime, ndërsa është në pushim, vuri në dukje znj. Mete
“Kjo mund të përfshijë çdo formë disipline në përgjigje të përdorimit të kohës së sëmurë nga një punonjës, ose kërkesës për të përdorur kohën e lejes mjekësore, që sipas ligjit, dita e punës së një punonjësi paguhet në masën 80% dhe i vetmi detyrim që ka punonjësi është sjellja e një raporti që vërteton paaftësinë shëndetësore në ditët që kërkon leje”, tha znj, Mete.
Mosinkurajimi i punonjësve të infektuar që të qëndrojnë në shtëpi
Sipas OBSH, punëdhënësit duhet të inkurajojnë në mënyrë aktive punonjësit e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi kur:
– kanë simptoma të sëmundjes akute të frymëmarrjes, temperaturë mbi 37.5 ose më të lartë, Punonjësit duhet të jenë pa temperaturë për 24 orë pa përdorimin e medikamenteve përpara se të kthehen në punë.
-Duke i nxitur punonjësit të njoftojnë mbikëqyrësin e tyre dhe të qëndrojnë në shtëpi, nëse janë të sëmurë për ndonjë arsye.
– të sigurohen që politikat e kompanisë për lejen mjekësore të jenë fleksibël dhe në përputhje me udhëzimet e shëndetit publik.
– specialistët e personelit të informojnë punonjësit e tyre për rëndësinë e qëndrimit në shtëpi kur sëmuren
– zbatimi i politikave fleksibël që lejojnë punonjësit të qëndrojnë në shtëpi, për t’u kujdesur për një të afërm të sëmurë.