Ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha u takua me një grup fermerësh të Lushnjes. Duke folur për sektorin e bujqësisë dhe të blegtorisë, i cili po vuan shumë prej 8 vitesh, lideri historik i Partisë Demokratike tha se pasardhësi i tij në qeveri Edi Rama nuk i intereson aspak bujqësia në Shqipëri pasi po i shkatërron fermerët me taksa dhe “Ballkanin e Hapur”. Berisha bëri batutë duke thënë se Rama e përmend fjalën “fermer” 2-3 herë në vit.
Më tej, ish-kryeministri i PD në vitet 2005-2013 premtoi se nëse do të rikthehet në pushtet do të rrisë buxhetin për bujqësinë mbi normën mesatare të rajonit. Gjithashtu, ish-drejtuesi i PD në vitet 1991-2013 premtoi për fermerët se do të rrisë sipëfaqen me dru frutorë, pasi terreni në Shqipëri është i përshtatshëm për kultivimin e tyre. Nga ana tjetër, Berisha shtoi se fermerët nuk do të paguajnë asnjë taksë për shitjen e produkteve të tyre pasi do të mbulohen nga qeveria e tij.
Në një moment, ish-kryeministri ngatërroi emrin e kandidatit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për zgjedhjet lokale të 6 marsit në Lushnje, Elton Bano, duke e quajtur Ilir Bano.
Çfarë ka ndodhur?
Berisha e ka sulmuar gjithmonë “Ballkanin e Hapur” pasi ajo do të shkatërrojë fermerët dhe bujqësinë shqiptare pasi e kanë të pamundur të konkurojnë me fermerët serbë e maqedonas. Dje, ish-kryeministri mori pjesë në fushatën e prezantimit të kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë” Ardian Muka në Durrës. Berisha tha se kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, e cila kandidon për Partinë Socialiste duhej të përballej me drejtësinë për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 pasi ka firmosur për mosrinvoimin e banesave që u goditën fillimisht nga një tjetër tërmet në shtator të atij viti. Berisha nuk kurseu as kandidatin e PD për Durrësin Luan Hoti. Atë e konsideroi si kopje të kryetarit të PD Lulzim Basha. Sipas tij, Hoti nuk mendon për qytetarët e Durrësit, por për të shtuar fitimet nga zgjatja e koncesionit të anijeve që ka marrë nga qeveria socialiste.