Ditën e sotme Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka përzgjedhur 6 kandidatët për vendet vakante në Autoritetin e Medias Audiovizive. Reporter shkruan se nga dy deputetë anëtarë të Komisionit ka mësuar se nga një listë e gjatë kandidatësh për votim në seancë plenare kaluan emrat e Aurela Bicja, Besjan Zogaj, Desada Metaj, Gjergj Hamiti, Jetmir Halilaj dhe Joana Allushi.
Besion Ajazi, deputet i Partisë Socialiste dhe anëtarë i komisionit, i tha BIRN se për 6 kandidatët pati dakordësi mes palëve. Ajazi tha se procedura e ndjekur ishte ajo e eliminimit, kur opozita dhe socialistët patën të drejtë të eliminonin kandidatë, deri sa u mbërrit në listën me 6 veta që do i kalojnë kuvendit për votim.
Ajazi tha se kandidaturat e kaluara për votim kishin mbështetjen politike të palëve. “Patjetër duhet një mbështetje politike”, tha Ajazi në një bisedë telefonike. Ai tha se procedura ishte bërë bazuar në një ligjin e bërë me asistencë nga BE. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa.
“Vijuam sipas procedurave ligjore duke eliminuar një herë ata një, një herë ne një, derisa ngelen 6 kandidaturat që do i kalojmë në seancë”, tha Zhupa.
Ashtu si një listë organesh të tjera të pavarura, votimi për të cilat kërkon kompromis mes palëve, edhe për AMA modeli i përzgjedhjes së anëtarëve më shumë se sa të garantojë pavarësi të institucionit nga politika, ganton që ai të jetë bipartizan. AMA ishte që prej vitit 2019 me 3 vakanca, ndërsa 3 të tjera u krijuan në vitin 2021. Disa përpjekje të shumicës për të plotësuar ato gjatë legjislaturës së kaluar pa praninë e opozitës zyrtare dështuan, ndërsa u akuzuan si përpjekje për marrje kontrolli. Megjithatë në qershor të vitit të kaluar, pavarësisht kontestimeve nga organizatat e medias, shumica socialiste procedoi duke përzgjedhur Armela Krasniqin, ish-drejtoreshë e Komunikimit të kryeministrit Edi Rama nga krye të autoritetit./reporter.al