Mbrëmjen e sotme pas ngjarjes së rëndë ndodhur në shtëpinë e kreut rë FSHF-së, Armand Duka, dalin në dritë të tjera detaje në lidhje me shpërthimin me tritol në banesën e Dukës. Ngjarja ndodhi në lagjen nr.3 të Durrësit.
Policia e Durrësit ka reaguar zyrtarisht në lidhje me ngjarjen që u regjistrua mbrëmjen e sotme në qytetin bregdetar, ku banesës së kreut të FSHF-së, Armand Duka iu vendos tritol. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:10, në lagjen nr. 4, Durrës.
Burime zyrtare nga policia, bënë me dije se sasia e lëndës plasëse ishte vendosur para portës së banesës.
Njoftimi i Policisë së Durrësit:
Më datë 24.01.2022, rreth orës 22:10, në lagjen nr. 4, Durrës, para portës së shtetasit Armand Duka dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale në portën e jashtme të banesës. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Sipas gazetares Klodjana Haxhiaj shpërthimi ishte shumë i fortë, pasi u dëgjua thuajse në gjithë qytetin. Sipas gazetares Haxhiaj, në banesë ka qenë gruaja dhe djali i Dukës, ndërkohë që bashkëshortja e tij është tronditur nga ngjarja në fjalë.
Tritoli ishte vendosur në derën e jashtme të banesës, ndërsa ka vetëm dëme materiale. Haxhiaj tha se autori, që është filmuar nga kamerat e sigurisë së banesës së Dukës, ishte i maskuar me një kapuç dhe pasi vendosi tritolin në derën e banesës, është larguar. Përveç kamerave të banesës së Dukës, në zonë ka edhe të tjera kamera sigurie. Aktualisht policia ndodhet në vendin e ngjarjes.