Mbrëmjen e sotme ka ndodhur një atentat me armë zjarri në Athinë, me pasojë plagosjen e tre personave.
Mediet fqinje raportojnë se ngjarja ka ndodhur në zonën e Voulas, ku një person ka hapur zjarr drejt një furre buke, në kryqëzimin e rrugëve “Ermou” dhe “Proodou 42”.
Nga breshëria e plumbave kanë mbetur të plagosur dy shtetas shqiptarë dhe një iraken, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital. Ndërkohë, në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, ku deri më tani është sekuestruar një thikë.
Siç raportojnë mediet fqinje, ngjarja dyshohet për larje hesapesh, ndërsa autorët janë larguar me një “Fuoristradë” të zezë, brenda së cilës ndodheshin tre persona. Dy prej të plagosurve janë qëlluar me armë, ndërsa i treti me sende të forta.
Mësohet se njëri shqiptar ka marrë plumb në gjoks, kurse tjetri është me plagë arme në bark. Raportohet se sherri ka nisur fizikisht mes katër personave para një furre, ku njëri ka goditur tre të tjerët, dhe më pas kanë ardhur dhe e kanë marrë me makinë.
Sipas mediave greke, dy persona raportohet se po pinin kafe në furrën e bukës kur papritur u shfaq një xhip me katër persona, të cilët ishin shqiptarë. Dy persona zbritën dhe iu afruan tavolinës ku të dy burrat po pinin kafen. Papritur mes tyre ka shpërthyer një debat, ku njëri nga dy personat ka goditur tjetrin me karrige.
Personi që priste jashtë, nxitoi brenda për të ndihmuar shokët e tij dhe më pas nxorën armët. Kur tentuan të largoheshin, ata hapën zjarr. Gjithsej tre persona kanë mbetur të plagosur, dy prej të cilëve shqiptarë.
Ngjarja e përgjakshme ka ndodhur përpara syve të fëmijëve të moshës 12-13 vjeç. Nga frika, fëmijët u fshehën. Autorët iu drejtuan duke u thënë “mos u shqetësoni, nuk do t’ju bëjmë keq”.
Pas ngjarjes ata u larguan me shpejtësi, ndërsa policia është vendosur në kërkim të tyre. Paraprakisht, mediat greke thonë se bëhet fjalë për një larje hesapesh.