Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka fituar gjyqin për shpifje ndaj Erjon Isufit, kunatit të Lulzim Bashës. Kujtojmë se një vit më parë, në datën 15 janar të vitit 2021, Erjon Isufi, kunati i kreut të opozitës, Lulzim Basha, paditi për shpifje dhe fyerje kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliajn dhe kjo lidhur me pronësinë e katër vilave në resortet luksoze në Gjirin e Lalzit dhe në Long Hills në Tiranë.
Ndërkohë sot, pas një viti hetimesh, Erion Veliaj ka fituar gjyqin ndaj Isufit, kunatit të Lulzim Bashës, pasi ky i fundit nuk ka mundur të provojë se deklaratat e Veliajt, ku tregon se Basha zotëron 4 vila dhe kishte aplikuar në bashki për vilën e 5-të, ishin të pavërteta, por meqë Veliaj e fitoi gjyqin ndaj kunatit të Bashës, SPAK ka vërtetuar se deklaratat e Veliajt për vilat luksoze janë të vërteta.
Vlen të theksohet se në padinë e bërë para një viti, kunati i Bashës kërkoi nga Gjykata e Posaçme të shpallë fajtor Veliajn, teksa shprehte se këto deklarata Veliaj i ka bërë më 14 janar 2021 gjatë takimeve elektorale në Tiranë, ndërsa si motiv pretendon se janë akuza me qëllim që të dëmtojë perceptimin e publikut për viktimën e akuzave si familjar i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.