Ditën e sotme Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka reaguar lidhur me situatën me motin e ftohtë që pritet të pushtojë vendin tonë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Mbrojtja Civile shkruan se temperaturat në vend pritet që të zbresin deri më -18 gradë Celsius. Ndërkohë që në Tiranë, termometri do të shënojë deri në -8 gardë. Sipas tyre, janë në kontakt me të gjitha njësitë vendore për të marrë masat në mënyrë që të përballohet situata e vështirë meterologjike që e pret vendin.
“Siç raportojnë edhe meteorologët, pritet që ditët në vazhdim temperaturat në Shqipëri të zbresin deri në -18 gradë Celsius në zona si Bulqiza apo Puka, ndërsa termometri në Tiranë pritet të zbresë deri në -8 gradë Celsius, afër zeros edhe në zonat bregdetare si Durrësi, ndërsa në Vlorë priten temperature deri në -1 gradë Celsius. Kulmi i temperaturave të ulta pritet të jetë dita e hënë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha njësitë vendore. Për të shmangur situata të rënda, ndiqni të gjitha këshillat e shtabeve të emergjencave në bashkitë e vendbanimit tuaj,”-shkruhet në postim.
Kujtojmë se Ministrja e Arsimit Evis Kushi njofton se duke filluar nga dita e hënë deri të mërkurën do të mbyllen shkollat në vend pasi parashikohet që moti të arrijë temperatura ekstreme të ftohti.