Kriza energjetike në Kosovë ka ngritur shqetësime, teksa kohët e fundit ka reaguar Albin Kurti. Lidhur me situatën atje, Kurti ka deklaruar po mendon të arrijë një zgjidhje afatgjatë. Sipas Kurtit, rritja e çmimit është vetëm për energjinë e importuar. Lidhur me ndarjen e subvencionit prej 75 milionë euro, Kurti tha se kjo përfshinë si bizneset ashtu edhe konsumatorët shtëpiak. Ndërkohë kreu i qeverisë së Kosovës tha se rekomandimi i ZRRE-s për çmimet e energjisë elektrike është një barrë e rëndë për qytetarët.
Albin Kurti:
Qeveria të cilën e përfaqësoj dhe e udhëheq ka për qëllim që të ndërmarrë veprime që do të adresojnë edhe efektin e menjëhershëm të kësaj krize por edhe të asaj afatgjate. Nëse çmimi i energjisë do të ishte rritur në mënyrë lineare për të reflektuar kërkesat e sektorit, ne nuk do të ishim në këtë situatë sikurse jemi tani. Megjithatë pasi kjo nuk ka ndodhur ZRRE si autoritet i pavarur ka vënë para nesh zgjidhjen financiare të krizës. Zgjidhja financiare që përfaqëson borxhin e akumuluar nga pjesëmarrësit e sektorit për t’i mbajtur dritat ndezur vjen me një çmim shumë të lartë. Çmimi i prezantuar nga ZRRE-ja është barrë shumë e rëndë për t’u përballur nga qytetarët në Kosovë. Ne do të japim në dispozicion 75 milionë euro subvencion për të mos i prekur fare rritja e çmimit të energjisë konsumatorët e amvisërisë që konsumojnë deri në 600 kËh në muaj si dhe bizneset e Kosovës. Kemi zvogëluar ndikimin nga rritja e çmimit të konsumatorëve shtëpiak që konsumojnë mbi 600 kËh. Ngritja e tarifave nuk i ka prekur bizneset. Në këtë mënyrë do të kufizohet ndikimi në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ofrohen në ekonominë tonë. Qeveria e Kosovës do ta rrisë mbështetjen për konsumatorët në nevojë që nuk kanë mundësi që të paguajnë. Rritja e çmimit të energjisë nuk ka ndodhur tek pjesa e energjisë së prodhuar në Kosovë. Energjia që konsumatorëve u ofrohet nga prodhimi i KEK-ut ende e ka të njëjtin çmim. Ngritja ka ndodhur në pjesën e importuar. Importi është i lartë dhe kjo e ka rritur koston për gjithë ne.