Presidenti Biden pati një vit të parë plot ngjarje në detyrë. Por ka pasur edhe një sërë krizash, që nga tërheqja kaotike dhe vdekjeprurëse nga Afganistani, e deri tek një fluks migrantësh që vazhdojnë të vërshojnë në kufirin jugor të vendit. I hedhim një vështrim arritjeve dhe sfidave të presidentit në prag të një vjetorit të tij në detyrë.
Ka kaluar një vit që kur Joe Biden filloi detyrën e tij si president, në një periudhë krize kombëtare me një mesazh uniteti dhe shprese.
Bideni u zgjodh në detyrë me premtimet se do të shëronte ndarjet partiake në vend, do t’i jepte fund betejës së vështirë kundër koronavirusit dhe do ta kthente ekonominë në rrugën e duhur. Tani, ndërsa i afrohet një vjetorit në detyrë, shpresat për përparim mbi shumë nga këto premtime, janë zbehur.
“Mund të flitet shumë rreth zhgënjimeve për premtimet që nuk kemi përmbushur. Por do t’i plotësojmë shumë prej tyre”, tha presidenti të premten.
Presidenti Biden e nis vitin e tij të dytë në detyrë me një inflacionin në nivelin më të lartë në 40 vjet, me një shtim drastik të rastet me omikron ndërkohë që plani i tij i madh për shpenzimet e brendshme ka ngecur në Kongres.
Përpjekja e tij për reformën e të drejtës së votës duket gjithashtu e dështuar; goditja e dytë që merr axhenda e presidentit nga vetë anëtarët e partisë së tij.
“Më habit fakti që Presidenti Biden kishte idenë se do të ishte në gjendje t’i bashkonte të gjitha fraksionet në parti. Kjo ishte ndoshta naive dhe e bazuar në marrëdhëniet që ai kishte pasur 20 vjet më parë, apo ashtu siç bëhej politika në Uashington 20 vjet më parë. Ai ka qenë i ngadaltë për t’u përshtatur, ose për të pranuar dhe vlerësuar plotësisht se sa i polarizuar është vendi”, thotë David Barker, drejtor i Qendrës për Studime Presidenciale dhe të Kongresit në Universitetin Amerikan.
Shtëpia e Bardhë mund të pretendojë një sërë arritjesh në vitin e tij të parë, duke përfshirë miratimin e një buxheti masiv prej 1.9 trilionë dollarësh për lehtësimin e COVID-it dhe të projektligjit dypartiak për infrastrukturën.
Por ka pasur edhe një sërë krizash, që nga tërheqja kaotike dhe vdekjeprurëse nga Afganistani, tek një fluks migrantësh në kufirin jugor të vendit dhe një rritje e madhe e rasteve të COVID-it.
Nga fundi i verës, shifrat dikur të qëndrueshme të Bidenit në sondazhe filluan të bien.
“Ne ende nuk e kemi zhdukur këtë pandemi dhe ajo po përkeqësohet. Presidenti supozohej ta kishte vënë atë nën kontroll. Fakti që ende jemi në pandemi ndikon në nivelin e miratimit për punën e tij”, thotë David Barker.
Presidenti Biden shpreson të shpallë disa fitore të tjera në kohë për zgjedhjet për në Kongres në nëntor, pak më shumë se nëntë muaj larg.
Por ai përballet me sfida përtej pandemisë, që nga shqetësimet në rritje me Rusinë dhe Kinën, tek rrymat e kundërta politike në vend.
Partia e presidentit në detyrë pothuajse gjithmonë humbet vende në zgjedhjet e mesmandatit. Dhe me diferencat tashmë të vogla në të dyja dhomat e Kongresit, viti i parë i betejës së Bidenit mund të bëhet edhe më i vështirë./VOA/