Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është cilësuar si prioriteti më strategjik kombëtar, i cili udhëheq axhendën qeverisëse të vendit. Për këtë çështje ka reaguar ambasadorja e Francës në vendin tonë Elisabeth Barsacq. Në një intervistë për mediat, ambasadorja e Francës është shprehur se ndarja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në procesin integrues në BE, nuk duhet të ekzistojë.
Ambasadorja e Francës në vendin tonë Elisabeth Barsacq:
Në lidhje me këtë çështje, mendoj se duhet ta tejkalojmë idenë se dy vendet mund të veçohen. E di se shumë thonë se meqë gjërat nuk po shkojnë mirë për Maqedoninë e Veriut për shkak të Bullgarisë, atëherë duhen ndarë. Kjo duhet tejkaluar dhe ne duhet të bëjmë maksimumin në mënyrë që të mbahen dy konferencat ndërqeveritare në të njëjtën kohë.
Kujtojmë se Tirana dhe Shkupi kanë kohë që duan të nisin bisedimet, teksa sipas Komisionit Europian, të dyja shtetet kanë përmbushur kushtet e duhura.
Shteti që ka bllokuar procesin në fjalë ka qenë Bullgaria dhe kjo për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Maqedoninë e Veriut sa i përket historisë dhe gjuhës.
Ndërkohë disa shtete po refuzojnë që të ndajnë Shqipërinë nga paketa me Maqedoninë e Veriut dhe kjo ka bërë që nisja e negociatave me Tiranën të bllokohet.