Kohët e fundit në Shqipëri kanë ndodhur disa vrasje kanë tronditur vendin.
Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela është shprehur se se prokurorëve iu është kërkuar që të vlerësojnë maksimalisht ngjarjet e rënda dhe të bashkëveprojnë me SPAK-un.
Çela shtoi gjithashtu se prokuroria vazhdon të kryejë plotësisht funksionet e veta kushtetuese dhe ligjore.
“Prokurorët kanë pasur mbështetjen të veprojnë në përputhje me ligjin. Kanë pasur mbështetjen e të gjitha strukturave, jo vetëm të Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe strukturave të Policisë së Shtetit. Me gjithë vështirësitë që kemi sot për sa i përket përballimit të ngarkesës, mesazhi që iu është dhënë prokurorive është që të vlerësojnë maksimalisht ngjarjet e rënda, ngjarjet që kërkojnë një angazhim të një niveli tjetër. Patjetër në të gjitha rastet e rënda ka nevojë për një bashkëveprim me SPAK për të vlerësuar elementët e krimit të organizuar. Ju siguroj se prokuroria vazhdon të kryejë plotësisht funksionet e veta kushtetuese dhe ligjore”, tha kryeprokurori Çela.
Ndërkohë, i gjendur përballë pyetjes : A është gati Shqipëria për ta vënë në gatishmëri hartën e re gjyqësore?”, kryeprokurori Çela u shpreh se shikon si domosdoshmëri pasi nevoja sot është ekstreme kjo për shkak të reformës që po zbatohet në drejtësi.
“Ka domosdoshmëri për hartën gjyqësore. Nevoja sot është ekstreme, për shkak të reformës në drejtësi që po zbatohet sot, procesit të Vettingut. Kemi një numër gjithnjë e më të paktë të magjistratëve në disa nga gjykatat e prokuroritë kryesore. Te prokuroria problemi është i mprehtë në shumë prej tashmë, ndaj harta është domosdoshmëri për të pritur deri në plotësimin e sistemit me magjistratë. Ndaj kjo është e vetmja zgjidhje. Së dyti, sa i përket infrastrukturës, mendoj se ka opsione për zgjidhje. Mendoj se mund të përballohet në fazën aktuale me përdorimin e godinave, që mund të jenë të disponueshme. Ne do të bashkëpunojmë me KLGJ, apo ministrin e Drejtësisë. Besoj se do të kemi mbështetjen e plotë, që do të sigurohen nevojat e prokurorisë, të paktën në fazën kalimtare, derisa në një plan afatgjatë të vlerësojmë edhe nevojat për ndërtimin e godinave të reja. Këto janë çështje që ngelen për t’u zgjidhur, por e nevojshme në planin afatshkurtër nevojat imediate mendoj se mund të realizohen dhe prokuroritë do të kenë infrastrukturën e nevojshme për të ushtruar detyrën”, tha Çela në fjalën e tij.