Një ngjarje tragjike është regjistruar në Itali. Pasi konsumuan darkën e Krishtlindjes, një grup shqiptarësh nisën një sherr të dhunshëm.
Sipas “Padovaoggi.it”në mbrëmjen e 24 dhjetorit, një grup shqiptarësh janë takuar bashkë për të festuar natën e Krishtlindjes në shtëpinë e një bashkatdhetari 56-vjeçar që jeton në via Trevisan në Peraga di Vigonza bashkë me gruan e tij.
Ndërsa po darkonin dhe kishin kthyer disa gota alkool, papritur mes shqiptarëve nisi një sherr për motive banale. Pronari i shtëpisë papritur u ngrit, mori thikën dhe plagosi një nga të ftuarit.
Ai e ka kërcënuar me thikë dhe më pas e ka goditur në fyt. I plagosuri ka ikur nga shtëpia, por të bërtiturat e tij kanë tërhequr vëmendjen e fqinjëve të cilët kanë thirrur policinë. Ndërkohë pas ardhjes së policisë, në vendin e ngjarjes ka shkuar ambulanca.
I plagosuri është dërguar në spitalin e Padovës ku mjekët i kanë thënë se duhet të rrijë të paktën 15 ditë në spital, teksa në duart e mjekëve ka përfunduar edhe autori i sulmit.
Në dëshminë para policisë, autori i sulmit, 56-vjeçari shqiptar u ka shpjeguar karabinierëve se ishte grindur me të ftuarin për xhelozitë e vjetra. Sipas fqinjëve në shtëpinë e shqiptarit ka pasur gjithmonë debate dhe konflikte.