Në Shëngjin mund të ishte shënuar një tragjedi në këto ditë festash, teksa mësohet se një shtëpi në këtë zonë, është shkatërruar plotësisht pasi një gur i rënë nga mali e ka dëmtuar tërësisht këtë banesë.
Fatmirësisht brenda banesës nuk ka pasur njerëz. Guri ka shkaktuar dëme të mëdha në banesë, ndërsa e ka ndarë në dysh dhe më pas është futur brenda në shtëpi. Shkëmbi i përmasave të mëdha u shkëput nga mali. Ndërkohë nëse familjarët e kësaj shtëpie do të ishin brenda godinës, kjo ngjarje mund të kishte përfunduar në tragjedi, por fatmirësisht kjo gjë nuk ka ndodhur.
Rënia e këtyre masive shkëmborë ka rrezikuar edhe jetën e banorëve të tjerë të cilët jetojnë aty, por edhe që kalojnë pranë kishës në këtë zonë, e cila është mjaft e njohur nga shumë besimtarë. Policia ndërkohë ndodhet në vendin e ngjarjes. Gjithashtu rrëshqitja e gurëve është një fenomen i përvitshëm që ndodh në këtë zonë, por ka munguar edhe ndërhyrja.
Gjithashtu sipas studimeve te kryera nga gjeologët, ngjarje të tilla janë të përsëritura dhe kjo sidomos gjatë stinës së dimrit për shkak edhe të motit të keq dhe të paqëndrueshëm. Policia po heton shkakun e rënies së gurit në këtë banesë.