Adriatik Llalla është arrestuar në Romë me datë 10 dhjetor, lajm i cili u bë i ditur nga autoritetet shqiptare.
Gjykata vendosi dënimin me 2 vite burg për ish-prokurorin e Përgjithshëm nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
Gazetarja Klodiana Lala, raporton për “BalkanWeb”, se persona të afërt me Llallën kanë konfirmuar se ai është arrestuar, por pretendojnë se pas marrjes në pyetje ai është liruar sërish, pretendime këto sipas gazetares që nuk janë të konfirmuara zyrtarisht.
Tashmë, është bërë dhe një kërkesë për ekstradimin në Shqipëri për Llallën, por procedurat mund të ngadalësohen nëse ish-kryeprokurori kërkon azil politik ose konfirmohet gjendja e tij e rënduar shëndetësore. Kujtojmë se SPAK e ka dënuar Adriatik Llallën me 2 vite burgim për fshehje të pasurisë. Ai nuk ka marrë pjesë në seancat e fundit, me arsyetimin se ka një sëmundje të rëndë, ndërsa shpallja në kërkim e tij është bërë më datë 8 tetë.
Disa vite më parë Adriatik Llalla ishte numri një i akuzës në Shqipëri, njeriu që kishte në duar goditjen e kriminelëve dhe abuzuesve në të gjitha nivelet.
Ndërkohë që tashmë ai është një i pandehur, i cili ka rënë në prangat e policisë për shkak te veprave penale që ka bërë.
Dosja mban numrin 447 dhe veprat penale që rëndojnë mbi ish kryeprokurorin janë: Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurisë, mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi, pastrimit i produkteve të veprës penale, si dhe shpërdorim detyre. Ndër katër akuzat bie në sy ajo e kalimit në kufi të shumave monetare më shumë sesa e lejon ligji. Aktualisht çdo shtetas duhet të deklarojë nëse ka me vete mbi 10 mijë euro, e në rastin në fjalë duket se Llalla ka patur më shumë se kaq. Por nuk dihet ende zbulimi i kësaj shkeljeje, është bërë në Shqipëri apo në pikat kufitare të ndonjë shteti të huaj. Llalla po ashtu është akuzuar edhe publikisht për pasuritë e shumta të krijuara në një kohë të shkurtër si dhe për transaksionet që ka kryer duke rritur vlerën e tyre: një mekanizëm ky i njohur në skemat e pastrimit të parave.