Arrestohet në Romë të Italisë, ku ndodhej prej shumë kohësh, ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. Burime pranë SPAK konfirmojnë se Llalla është arrestuar në Romë në 10 dhjetor.
Pak javë më parë, Adriatik Llalla u dënua me 2 vite burg.
Ai është akuzuar për fshehje të pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar disa pasuri.
Gjykata e Posaçme shpalli fajtor ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla për akuzën e “refuzim për deklarim” dhe “fshehje pasurie”.
Sakaq, Llallës i janë sekuestruar edhe 4 sipërfaqe toke në periferi të Tiranës si dhe një apartament në Durrës, të cilat do të kalojnë në pronësi të shtetit.
Disa vite më parë Adriatik Llalla ishte numri një i akuzës në Shqipëri, njeriu që kishte në duar goditjen e kriminelëve dhe abuzuesve në të gjitha nivelet.
Ndërkohë që tashmë ai është një i pandehur, i cili ka rënë në prangat e policisë për shkak te veprave penale që ka bërë.
Dosja mban numrin 447 dhe veprat penale që rëndojnë mbi ish kryeprokurorin janë: Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurisë, mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi, pastrimit i produkteve të veprës penale, si dhe shpërdorim detyre. Ndër katër akuzat bie në sy ajo e kalimit në kufi të shumave monetare më shumë sesa e lejon ligji. Aktualisht çdo shtetas duhet të deklarojë nëse ka me vete mbi 10 mijë euro, e në rastin në fjalë duket se Llalla ka patur më shumë se kaq. Por nuk dihet ende zbulimi i kësaj shkeljeje, është bërë në Shqipëri apo në pikat kufitare të ndonjë shteti të huaj. Llalla po ashtu është akuzuar edhe publikisht për pasuritë e shumta të krijuara në një kohë të shkurtër si dhe për transaksionet që ka kryer duke rritur vlerën e tyre: një mekanizëm ky i njohur në skemat e pastrimit të parave.
Adriatik Llallës i mbaroi mandati në 12 dhjetor 2017. Në fillim të këtij viti ai paraqiti dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, vendim që u pasua me ndërprerjen e vetingut. Por duket se çështja e vetingut për Llallën është ende e hapur pasi është ankoruar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.