Shumë bashki në vend kanë abuzuar me fondet që janë dhënë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. Ora News shkruan se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar koston prej 1.1 miliardë lekësh në shkeljen me tenderat.
Kjo pasi bashkitë kanë shpallur fitues kompani që nuk kanë plotësuar kriteret e nevojshme të prokurorimit. Sipas një raporti gjatë periudhës janar-shtator, dëmi që i është shkaktuar shtetit me tenderat është 1.5 miliardë lekë. Listën e bashkive që kanë abuzuar me lekët e kryeson Kurbini me 524 mln lekë abuzime.
Ndërkohë që bashkia Krujë ka humbur 40 milionë lekë për ‘Rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare dhe ndërtimin e palestres’ në Thumanë nga shoqëria Xh. M shpk. Operatori ekonomik që ka marrë përsipër kryerjen e punimeve nuk ka parashikuar asnjë zë pune që ka të bëjë me ndërhyrjet në strukturën mbajtëse të objektit pavarësisht se në relacion thuhet se shkolla është e dëmtuar që nga tërmeti i korrikut të vitit 2018. Fondet e alokuara janë përdorur vetëm për fasadën dhe ndërhyrjet elektrike dhe hidraulike.
Edhe në Bashkinë e Tiranës prokurimet për projektin ‘Ndërtim i Shkollave’ janë cilësuar me humbje në vlerën e 51 milionë lekëve. Kjo si pasojë e analizës jo të saktë të kostove të ndërtimit pasi në të dyja rastet e shkollave dhe të kopshteve preventivat e punimeve kanë të njëjtat zëra të punimeve.
Në këtë rast KLSH ka konstatuar dhe konflikt interesi ndërmjet koncesionarit, mbikëqyrësit dhe kolaudatorit, pasi investitori në këtë rast është shoqëria koncesionare.
Ndërsa bashkitë Dibër, Kurbin, Kukës, Këlcyrë, Pogradec, Kuçovë dhe Shkodër për procedura të ndryshme prokurimi kanë shpallur fitues operatorë ekonomik, të cilët kanë mangësi në dokumentacion. Dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit në këtë rast kap vlerën e 1.4 miliardë lekëve.
Ndërsa, Tepelena ka shkaktuar një dëm në buxhet në vlerën 2. 7 milionë lekëve si pasojë e mosvendosjes së penaliteteve për vonesa në përfundimin e punimeve. Në raportin e bërë publik, KLSH ka gjetur se Ministria e Brendshme ka përdorur fondet e rindërtimit për qëllime që nuk kanë lidhje me dëmtimet e tërmetit. Dhe dëmi i shkaktuar nga këto është 275 milionë lekë, ndërsa 45 milionë lekë kane shkuar për të shlyer vendimet gjyqësore për punonjësit e larguar nga puna./dosja.al