Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano muajin e kaluar firmosi urdhrin që detyron çdo efektiv policie në nivel vendor dhe qendror të bëjë testin e drogës.
Ndërkaq 12 efektivë policie të drejtorisë vendore të policisë Shkodër kanë rezultuar si përdorues të drogës. Këto janë rezultatet që kanë dalë nga testi i bërë për përdorimin e lëndëve narkotike.
Për policinë vendore të Shkodrës që përfshin gjithë qarkun, janë testuar sipas burimeve 80 punonjës policie për të cilët ka dyshime ose indicie se mund të kenë konsumuar lëndë narkotike. Nga këta 80 të testuar 12 prej tyre kanë rezultuar pozitiv.
Tashmë ky proces për të parë nëse mes radhëve të policisë ka përdorues droge ka nisur prej disa ditësh dhe ajo që pritet të ndodh është që këta efektivë që rezultojnë pozitiv ndaj këtij testi mund të përjashtohen nga radhët e policisë.
Pas këtij testi sipas burimeve mësohet se një pjesë e atyre që kanë dalë pozitiv në testin e drogës kanë një moshë mbi 50 vjeç duke bërë që këto policë të kenë dyshime për vërtetësinë e testit apo përgjigjeve zyrtare që janë sjellë.
Kështu që mësohet se disa prej këtyre punonjësve të policisë pretendojnë se nuk kanë konsumuar kurrë lëndë narkotike në jetën e tyre ndaj pritet që të bëjnë padi penale ndaj klinikës që ka bërë testet si dhe nga ana tjetër pritet që të ritestohen vetë në disa klinika të tjera për të vërtetuar që ata nuk janë përdorues droge.
Këta efektivë policie që e kundërshtojnë këtë test të drogës thonë se janë thjeshtë duhanpirës, por jo përdorues droge dhe kanë dyshime se kjo gjë mund të ndikojë tek ky test për të cilin nuk janë aspak dakord.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodh me 12 punonjësit e policisë vendore të Shkodrës që kanë rezultuar si përdorues droge.