Të ndodhur në muajin e festave të fundvitit, ku lëvzjet janë më të shpeshta si dhe emigrantët kthehen në vendin e tyre, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka ndërmarrë masa të reja anti-Covid.
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi dhe kryeministri Albin Kurti prezantuan masat e reja për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në Kosovë.
Një ndër masat e marra është që të gjithë qytetarët që udhëtojnë me transport publik ose privat duhet të paraqesin dëshminë e vaksinimit, e quajtur ndryshe edhe si “Green Pass”.
Latifi tha se nga sot rikthehet mundësia e vaksinimit edhe gjatë fundjavës si dhe në aeroportin e Kosovës.
Të gjithë personat që hyjnë në Kosovë duhet të kenë certifikatën e plotë e në rast se personi ka vetëm një vaksinë, do të kërkohen testet. Nga 3 janari për të hyrë në Kosovë duhet të ketë vetëm certifikatën e plotë të vaksinimit.
Në një nga masat thuhet se në transportin publik, stafi dhe pasagjerët duhet të posedojnë një nga dëshmitë për COVID-19 në mënyrë që të lejohen të udhëtojnë. Ndalohet hyrja pa maskë në ambiente të mbyllura. Kufizimi i qarkullimit vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në ora 5 të mëngjesit. Me përjashtim të rasteve të caktuara.
Po ashtu gjithë përfituesit nga skemat sociale e pensionale janë të liruar nga paraqitja e rregullt. Ndërkohë janë ndaluar veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare e shoqërore. Gastronomia lejohet deri 50 për qind të kapacitetit në hapësira të mbyllura e deri 70 për qind në të hapura. Shërbimet e gastronomisë lejohen nga ora 5 deri në orën 23:00, ndërsa muzika lejohet deri në orën 21:30. Në taksi lejohet të udhëtohet vetëm me dy udhëtarë.
Gjithë personat që hyjnë në Kosovë nga 3 janari e tutje duhet të kenë dëshminë e vaksinimit me dy doza. Deri në atë datë, personat që hyjnë në Kosovë lejohen me dëshmi vaksinimi me dy doza, apo të kenë një dozë të vaksinës së bashku me testin PCR jo më të vjetër se 48 orë apo një dozë të vaksinës së bashku me dëshminë se e ka kaluar COVID-19.
Kryeministri Albin Kurti u shpreh se masat kundër pandemisë në Kosovë do të zbuten vetëm nëse rreziku nga virusi do të jetë më i ulët.
Kurti tha se mënyra më e mirë për të luftuar pandeminë është vetëm vaksinimi, ndërsa shtoi se këto masa janë të domosdoshme që situata epidemiologjike të mbahet nën kontroll.