Në lidhje me variantin e ri të Covid-19, i quajtur “Omicron” ka reaguar ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga qendra e vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania”.
Manastirliu u shpreh se ashtu sikurse të gjitha vendet edhe Shqipëria është e shqetësuar sa i përket përhapjes së variantit Omicron.
“Është e rëndësishme të vijojmë vaksinimin edhe në raport me variantin e ri Omicron që tashmë ka shqetësuar botën. Jo duke i vendosur vendet në panik, por i ka vendosur në një gatishmëri të shtuar të gjitha vendet, ashtu sikurse edhe ne”, tha Manastirliu.
Duke folur për variantin e ri Omicron, Manastirliu tha se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në vendin tonë.
“Instituti i Shëndetit Publik është duke punuar për të përgatitur mostrat sipas protokolleve të ECDC, për t’i çuar për t’i analizuar dhe për të vijuar më tej sekuencimin e këtyre mostrave. Për të bërë dhe ne të gjithë atë hartëzimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse varianti Omicron qarkullon në vendin tonë dhe sigurisht ajo çfarë është më e rëndësishme është që të rrisim vigjilencën”, tha Manastirliu.
Lidhu me masat anticovid, Manastirliu tha:
“Ne jemi duke bërë një vlerësim të imtësishëm të gjitha masave aktuale që ne kemi në luftën kundër Covid19 duke filluar nga masat ekzistuese të qarkullimit, patjetër të distancimit, të vendosjes së maskave në ambientet e brendshme. Janë elemente shumë të rëndësishëm të cilët duhet të vazhdojnë që të zbatohen nga të gjithë qytetarët, pasi kjo është një betejë e cila fitohet vetëm nëse qytetarët dhe autoritetet janë së bashku në zbatimin e këtyre masave të thjeshta. Sigurisht duke vijuar me rritjen e mbulesës vaksinale dhe me vaksinimin qoftë me dozat e para, qoftë me duke u vaksinuar plotësisht për të mos vonuar vaksinën apo dozën e dytë dhe qoftë për të bërë vaksinën përforcuese apo dozën e tretë”.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino tha: “Omicron nga pikëpamja e transmetueshmërisë mendohet që ka një transmetueshmëri të lartë. Mendohet që mund të jetë më i lartë se transmetueshmëria e Deltës, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë sepse ka nevojë që të vlerësohet se si është transmetueshmëria brenda familjes apo jashtë saj. Për sa i përket formave të rënda, natyrisht shtimi i rasteve mund të pasohet edhe me format e rënda. Ajo çka ka rëndësi është që të vlerësohet ai evitimi i imunitetit qoftë natyror qoftë edhe nga vaksina. Megjithatë kemi të dhëna, jo të gjitha të dhënat e mundshme, por që vaksina ka një efektivitet prandaj është shumë e rëndësishme të vaksinohemi”, tha Bino.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 2,103,351 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Nga të cilat, 1,072,645 janë doza të para; 961,013 doza të dyta dhe 67,381 doza të treta. Vaksinimi ndaj COVID-19 është i hapur për të gjithë personat +16 vjeç si dhe fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar.