Sezoni i uljeve pëlqehet edhe nga kriminelët informatikë, që përpiqen të fitojnë para, duke krijuar faqe false.
Numri total i sulmeve phishing financiar, të kamufluara nga sisteme pagesash elektronike, është më shumë se dyfishuar nga shtatori (627.560) në tetor 2021 (1.935.905), me rritje 208%. Këto dhe rezultate të tjera bëjnë pjesë në raportin “Black Friday 2021: How to Have a Scam-Free Shopping Day” të shoqërisë Kaspersky.
Sezoni i uljeve tërheq vëmendjen e blerësve dhe shitësve, megjithatë është edhe një nga sezonet e preferuara të kriminelëve informatikë, që përpiqen të fitojnë para, duke krijuar faqe false të cilat imitojnë platformat më të mëdha të shitjes me pakicë dhe sistemet e pagesave elektronike.
Gjatë dhjetë muajve të parë të 2021, produktet e Kaspersky zbuluan më shumë se 40 milionë sulme phishing, me shënjestër platformat e-commerce, si dhe institucionet financiare. Ndërkohë që dyqanet e morën disi veten në 2021, pas 18 muajve të vështirë, kërkuesit e Kaspersky nuk vëzhguan tendencat tipike sezonale për phishing, të lidhura me blerjet online, të cilat zakonisht karakterizohen nga rritja e faqeve phishing me oferta shitje, shumë të mira për të qenë të vërteta, ose nga rritja e mashtrimeve që lidhen me shitjet me pakicë.
Megjithatë ka një përjashtim. Në vitin 2021, numri total i sulmeve të phishing financiar, që vënë në shënjestër sistemet e pagesave elektronike, është më shumë se dyfishuar nga shtatori (627.560) në tetor (1.935.905) – duke shënuar rritje me 208%. Nga data 27 tetor deri më 19 nëntor, në ditët që u paraprijnë javës së uljeve, kompania për sigurinë informatike ka regjistruar 221.745 email-e spam që përmbajnë fjalët “Black Friday”.
Ekspertja e sigurisë në Kaspersky, Tatyana Shcherbakova, thekson se gjatë sezonit të “Black Friday” intensifikohet aktiviteti i kriminelëve.
“Çdo aplikacion me pagesë shihet nga mashtruesit si një mundësi e re për të shfrytëzuar përdoruesit. Për këtë arsye, për të mbrojtur të dhënat dhe paratë tuaja, sigurohuni se po përdorni një faqe të sigurt për pagesa online”. Shikoni për shembull URL e faqes për të kuptuar nëse fillon me HTTPS, në vend të asaj të zakonshme HTTP dhe nëse pranë adresës shfaqet një dryn.
/ Kaspersky