Avokatët e qytetit të Elbasanit kanë vendosur të bojkotojnë të gjitha proceset gjyqësore për 1 javë, të indinjuar për vrasjen e kolegut të tyre, Ravik Gurra, mbrëmjen e së premtes.
“Jemi 30 vjet demokraci dhe nuk mund të përqendrohemi vetëm tek kapja e autorit. Ku është puna parandaluese? Si është e mundur një njeri i njohur dhe i respektuar të vritet në mes të qytetit? Çfarë po bën policia? Asnjë e dhënë për autorin. Nuk është rasti i parë që s’ka autorë”- ka qenë reagimi i tyre, duke kërkuar forcim të masave për krime të tilla.
Ndërkohë, pas vrasjes së avokatit, në një reagim për mediat, Dhoma e Avokatisë bëri të ditur se 50-vjeçari ishte anëtar i Dhomës së Avokatisë në Tiranë dhe theksohet se kërcënimet ndaj avokatëve po përshkallëzohen dita-ditës.