Një gjykatë ruse urdhëroi të hënën gjigantin e teknologjisë Google që të paguajë 28 mijë dollarë për shkelje të rregullave të Rusisë për përmbajtjen e ndaluar.
Në muajt e fundit, gjykatat ruse kanë urdhëruar kompaninë Google të paguajë gjoba prej qindra mijëra dollarësh për, siç është thënë, mosfshirjen e përmbajtjes së ndaluar në motorin e saj të kërkimeve.
Gjykatat kanë gjobitur edhe platformat sociale Facebook, Twitter, WhatsApp, Telegram dhe TikTok për akuza të ngjashme.
Google e konfirmoi gjobën e shqiptuar të hënën, por nuk dha asnjë koment shtesë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka akuzuar platformat e mediave sociale dhe gjigantët e tjerë të teknologjisë për shpërfillje të ligjeve të internetit në Rusi.
Me këto ligje, mes tjerash, bëhen përpjekje që firmat e huaja të detyrohen të hapin zyra në Rusi dhe të ruajnë të dhënat personale të rusëve në territorin e saj.
Por, shumë kritikë thonë se me këto ligje, autoritetet përpiqen t’i heshtin disidentët.
Kujtojmë që Google ka marrë në vitin 2018 gjobën rekord prej 4.3 miliard eurosh për sistemin operativ Android, sipas BBC.
Vendimi i Komisionit Evropian erdhi pas një hetimi trevjeçar mbi pretendimet se strategjia e kompanisë kishte forcuar padrejtësisht dominancën e kërkimit.
Komisioni Evropian fillimisht nisi të vëzhgonte Android-in në Prill të vitit 2015, pas një ankese nga Fairsearch – një grup tregtar që fillimisht përfshinte Microsoft, Nokia dhe Oracle midis anëtarëve të saj. Në atë pikë, Android kishte 64% të tregut të celularëve në Evropë, sipas firmës Statcounter. Që atëherë është rritur në 74%.
Komisioni më pas bëri tre akuza specifike për sjellje anti-konkurruese, duke thënë se Google ishte “duke kërkuar që celularët dhe prodhuesit tabletë të Android të vendosin motorin e kërkimit si parazgjedhje dhe të instalojnë paraprakisht naviguesin Chrome përpara se t’u lejojnë atyre të kenë akses në Play Store; duke parandaluar prodhuesit nga shitja e pajisjeve celulare të mundësuara nga sistemet operative rivale bazuar në kodin e hapur të Android; duke i dhënë prodhuesve të pajisjeve nxitje financiare për të ofruar shërbimin e vet të kërkimit si opsioni i vetëm i instaluar paraprakisht”