Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të enjten se i duheshin 23.4 miliardë dollarë gjatë 12 muajve të ardhshëm për planin e saj për të mposhtur Covid-19, duke i kërkuar G20 të tregojë njëfarë lidershipi dhe të paguajë.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i tha hapur Grupit të 20 fuqive globale, të mbledhur këtë fundjavë në Romë, se ata nuk mund t’i linin më vendet më të varfra të shkatërrohen edhe më tej nga pandemia. Tedros tha se paratë ishin të nevojshme për të siguruar vaksinat, testet dhe trajtimet Covid-19 dhe potencialisht për të parandaluar pesë milionë vdekje të tjera.
“G20 kanë aftësinë për të bërë angazhimet politike dhe financiare që nevojiten për t’i dhënë fund kësaj pandemie. Ne jemi në një moment vendimtar, duke kërkuar një udhëheqje vendimtare për ta bërë botën më të sigurt”, tha Tedros në një konferencë për shtyp.
‘Përshpejtuesi i Qasjes në Mjetet Covid’ të udhëhequr nga OBSH ka për qëllim zhvillimin, prodhimin, prokurimin dhe shpërndarjen e mjeteve për të trajtuar pandeminë.
23.4 miliardë dollarët e nevojshëm për ta financuar atë “zbehen në krahasim me triliona dollarë humbje ekonomike të shkaktuara nga pandemia dhe kostoja e planeve stimuluese për të mbështetur rikuperimet kombëtare”, tha OBSH.
“Financimi i plotë i ACT-Accelerator është një domosdoshmëri globale e sigurisë shëndetësore për të gjithë ne – koha për të vepruar është tani”, tha Tedros.
Por thirrja rrezikon të ketë të njëjtin fat si përpjekjet e mëparshme për t’i bërë vendet e pasura të reflektojnë për hendekun gjithnjë në rritje midis tyre dhe vendeve më të varfra.