Në spitalin kryesor të fëmijëve të Kabulit, rrënimi i sistemit shëndetësor të Afganistanit reflektohet në sytë e stafit të rraskapitur teksa nxjerrin rezervat e ilaçeve që po pakësohen me shpejtësi.
Ndërsa turmat e nënave dhe fëmijëve të sëmurë mbushin dhomat e pritjes në Spitalin e Fëmijëve Indira Gandhi, stafi mjekësor po vendos tre foshnja në një inkubator të vetëm dhe po i dyfishon në shtretërit e ngrohtë të foshnjave.
Infermieret që dikur kujdeseshin për tre ose katër foshnja secila, tani duhet të kujdesen për 20 ose më shumë për të kompensuar mungesën e stafit që u largua nga vendi kur talebanët morën pushtetin në gusht.
“Ne i themi njëri-tjetrit se duhet ta bëjmë këtë punë, nëse nuk e bëjmë, këto probleme do të bëhen të mëdha, është një humbje për ne, shoqërinë tonë dhe për vendin tonë”, tha Dr Saifullah Abassin ndërsa lëvizte nga shtrati në shtrat në njësinë e kujdesit intensiv të mbushur me njerëz, raporton Reuters.
Edhe pse numri i viktimave të shpërthimit dhe i të plagosurve të luftës ka rënë që nga përfundimi i luftimeve, spitalet e Afganistanit po përballen me pasojat e një krize ekonomike që po përhapet me shpejtësi që ka kërcënuar miliona njerëz nga uria.
Agjencitë e OKB thonë se 95% e popullsisë nuk ka rregullisht mjaftueshëm për të ngrënë dhe muajin e kaluar, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi se sistemi shëndetësor ishte në prag të kolapsit pasi ndihma ndërkombëtare është ndërprerë.
Mungesa e mbështetjes për projektin e shërbimit shëndetësor Sehatmandi prej 600 milionë dollarësh të administruar nga Banka Botërore, ka lënë mijëra objekte në pamundësi për të blerë furnizime dhe për të paguar pagat, duke kërcënuar shërbimet shëndetësore në të gjitha nivelet, nga klinikat e fshatrave deri te spitalet që ofrojnë prerje cezariane.