Një person në gjendje të dehur ka kanosur me thikë kreun e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit. Policia ka bërë me dije se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Graçanicë, rreth orës 17:50
“Graçanicë, 25.10.2021-17:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një armë e ftohtë-thikë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, Klan Kosova bën me dije se personi që është arrestyar është Afrim Tovërlani, trajner futbolli, pasi dyshohet se është ai që e ka kanosur me thikë Ahmetit në shtëpinë e tij. Policia njofton se ku patrulla ka shkuar në shtëpinë e Ahmetit, ka takuar aty katër burra, bashkëpunëtorë të kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe trajnerin në fjalë
“Më 25.10.2021 rreth orës 17:50 Policia ka marrë informacionin se është raportuar një rast i kërcënimit në lagjen Nic në Çagllavicë, saktësisht në shtëpinë e kryetarit të komunës Shpend Ahmeti. Patrulla kur ka shkuar në vendngjarje i ka takuar katër burra të cilat janë bashkëpunëtorë të Shpend Ahmetit dhe trajnerin Afrim Tovërlani”, thonë burimet për rastin në fjalë, ndërsa ende nuk dihen motivet e ngjarjes.