Në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Fierit mbrëmjen e djeshme, ku u ekzekutua me armë zjarri Demir Backa, kanë dalë detaje të reja.
Sipas News24, makina e cila u gjet e djegur pas atentatit ishte me targa të Kosovës.
Gjithashtu mësohet se policia po vazhdon me verifikimet dhe ende nuk dihet në qoftë se numri i targës është i vërtet apo është fals. Në qoftë se është i vërtetë, policia do të verifikojë pikën kufitare përmes së cilës ka hyrë automjeti dhe në pronësi të kujt është.
Policia po punon edhe për zbardhur numrin e personave që kanë marrë pjesë në atentat, pavarsisht se më herët u tha se dyshohet se janë dy persona, policia dyshon për më shumë persona të përfshirë. Bëjmë me dije se në makinën e shkrumbuar u gjetën edhe dy armë zjarri, një kallashnikovë dhe një pistoletë, për të cilat dyshohet se janë përdorur në atentatin ndaj Demir Backës.
Sjellim në vëmendej se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:40 mbrëmjen e djeshme në vendin e njohur si rrotullimi i një qendre tregtare në Fier, kur 57-vjeçari Demir Backa sapo po hipte në automjetin e tij tip Audi. Gëzhojat e kallashnikovit u shpërndanë kudo ndërsa Backa menjëherë u transportua për në spitalin e Fierit, por nuk mundi dot të mbijetonte.