Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmjen e djeshme qytetin e Fierit, ku u ekzekutua Demir Backa.
Ditën e sotme është publikuar një foto e 57-vjeçarit, i cili ndërroi jetë në spitalin e Fierit pasi nuk mundi t’iu mbijetonte plagëve të marra. Autorët e kësaj ngjarje të rëndë vijojnë të jenë në kërkim nga policia.
Policia ka dyshime se ndaj tij është qëlluar nga një automjet tip “Benz”, ndërsa një makinë e tillë është gjetur e djegur në fshatin Daullas dhe dyshimet janë se ajo mund të jetë e autorëve. Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Fierit.
Ndërkohë, mësohet se viktima ishte pronar i një lokali në qendër të Fierit dhe një hoteli në Sarandë. Po ashtu bëhet me dije se Demir Backa është vëllai i ish-anëtarit të bandës së Fierit i cili është vrarë në 1997-ën. Vëllai i tij, Medi Backa u vra bashkë me disa persona të tjerë, pasi kishte grabitur një bankë në Sarandë.
Njoftimi i Policisë:
Fier/Informacion paraprak
Sot rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Rrethrrotullim i QTU_së”, dyshohet se nga një automjet tip “Benz” është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. B. 57 vjeç, i cili ishte brenda automjetit të tij tip “Audi” dhe si pasojë e plagëve të mara ka ndërruar jetë në spitalin e Fierit.
Menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, Forca e Posacme “Shqiponja” dhe 2 grupe te FNSH kanë shkuar në vendngjarje dhe po krehin zonën për kapjen e autorit.
Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Fierit.
Në fshatin Daullas është gjetur e djegur një makinë tip “Benz” e cila dyshohet se është e autorëve të ngjarjes.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.