Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur për gazetarët pasi PD depozitoi në Kuvend tre amendamentet kushtetuese.
Basha ka thënë se këto amendamente kanë lidhje me tre prioritete absolute për për të nxjerrë shqiptarët nga depresioni dhe kriza, që janë produkte të keqqeverisjes. Kryedemokrati shtoi se amendamentet kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, ndërsa paralajmëroi patronazhistët dhe kryeministrin.
Ai tha se lënia e pushtetit nuk është dramë, ndërsa theksoi se amendamentet kanë të bëjnë edhe me zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të 30 korrikut.
“Për të njoftuar pikë së pari se para disa minutash PD ka depozituar në Kuvend amendamentet kushtetuese në lidhje me tre prioritete absolute për të nxjerrë shqiptarët nga depresioni, kriza, produkt i keqqeverisjes. Ashtu siç ju kam informuar, këto tre çështje kryesore në amendamentet tona kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, përfshirë të gjitha aspektet e saj, edhe patronazhistët të cilët i pretë belaja, bashkë me kreun e tyre; për të organizuar përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme hapin e parë për daljen e Shqipërisë nga kriza, që është kthimi i Shqipërisë në shina.
Lënia e pushtetit nuk është dramë. Amendamentet kushtetuese kanë të bëjnë me zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të 30 korrikut, të kaluara pa vullnetin e opozitës, dhe depozitimi i kërkesës për komisionin zgjedhor, për të nisur sa më shpejt punën, me qëllim që reforma zgjedhore me të gjithë komponentët e saj të nisë një orë e më parë”, tha Basha.