Ditën e sotme u gjet një trup i pajetë në Peqin. Bëhet me dije se viktima është identifikuar dhe është 38-vjeçari Alban Semaku, i cili njihet edhe me emrin Elton Mermali.
38-vjeçari u gjet pa shenja jete mëngjesin e sotëm në afërsi të lumit Shkumbin në Peqin. Ai është ekzekutuar me 2 plumba dhe mendohet se në vendin që është gjetur i pajetë është hedhur nga ekzekutorët, ndërsa vrasja dyshohet se ka ndodhur në një vend tjetër.
Semaku nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë. Në vitin 2006, ai është ekstraduar nga Italia, pasi Gjykata e Lushnjës e kishte dënuar për një vrasje të ndodhur në atë qytet. Po ashtu, kur kishte vetëm 6 muaj që kishte dalë nga burgu, në 2015, Semaku u arrestua sërish, pasi ka kanosur me armë zjarri për motive banale një pronar Servisi. Për këtë vepër penale ai është dënuar me 6 vite burg dhe mësohet se ka dalë nga qelia në 6 maj të këtij viti.
Semaku ndërkaq njihej dhe si anëtar i bandës së Lushnjës, e kryesuar nga Aldo Bare. Kjo bandë veproi për disa vite, deri kur Aldo Bare u arrestua në Turqi.
Gjatë kohës së gjykimit të tij, pas ekstradimit në Shqipëri, Gjykata e Krimeve të Rënda e gjeti fajtor Aldo Baren apo Alfred Shkurtin për 4 vrasje, 2 tentativa vrasjeje, për shkatërrim të pronës me zjarr si dhe për veprën penale të krijimit të organizatës kriminale. Aldo Bare u akuzua për vrasjen e Genci Kashari, Xhevat Demiri, Nimet Zeneli e Masar Aliu.