Ditën e sotme në Kosovë, po zhvillohen zgjedhjet lokale. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkuar për të votuar në qendrën e votimit dhe nuk ka nguruar t’iu bëjë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime.
Nëpërmjet një komunikimi për mediat, Kurti i ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës. Ndër të tjera kryeministri i Kosovës u zotua se si kryeministër, ai dhe qeveria do të punojnë e bashkëpunojë shumë ngushtë në fuqizimin e komunave.
“Si qytetar i Republikës ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira. Qytetarët në Kosovë sot vendosin se kush do të jenë udhëheqësit e tyre. Inkurajoj të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë moment demokracie.
Si kryeministër unë bashkë me qeverinë tonë do të punojmë në fuqizimin komunave. 4 vite të mbara, të mira i presin qytetarët anekënd Kosovës ku ata jetojnë dhe punojnë”, deklaroi Kurti.
Po ashtu edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë. Pas votimit ai ka thënë se është festë sepse po bëhet vendimmarrja prej qytetarëve të Kosovës.
“Ushtruam të drejtën tonë demokratike, për të votuar. Sot është festë sepse bëhet vendimmarrja prej qytetarëve tanë dhe s’ka gjë më të mirë që qytetarët të vendosin. Uroj që kjo ditë të kaloj sa më mirë dhe në të njëjtën kohë duhet t’i falënderoj të gjithë të angazhuarit”, ka thënë Abdixhiku.